Gjykata: Greva të prishet
ata po digjen, janë rrezik

Gjykata e Tiranës vendosi mesditën 17 tetorit 2012, shpërndarjen e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, që zhvillohet në një zonë periferike diku te Komuna e Parisit. Gjykata i ka lënë kohë policisë deri në mesnatë, ora 24.00 që greva të shpërndahet vetë, në të kundërt duhet të ndërhyjë policia. Kjo shkaktoi reagimin e ish të përndjekurve politikë të cilët ishin në ditën e 26 të grevës së urisë.

JA VENDIMI I PLOTE


VENDIM "I SIGURIMIT TE PADISE"
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë prej:
GJYQTARE: Ariana Gunbardhi (Caco)
Asistuar nga sekretare Ermira Çunge,
sot me dt.17.10.2012 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, kërkesën civile që i përket:
KËRKUESE: Drejtoria e Policise se Qarkut Tirane, përfaqësuar me autorizim dt. 16.10.2012 nga juristi Hubert Toshi.
OBJEKTI: Marrja e masës së sigurimit të padisë, duke vendosur ndërprejen e grevës së urisë, që po zhvillohet nga një grup ish të përndjekurish politik, në rrugën "Hiqmet Delvina" Tiranë.
Baza Ligjore: Nenet 32, 202, 204 te K.Pr.Civile, neni 197/9 pika 3 i Kodit të Punës, Ligji nr. 8773, dt. 23.04.2001 "Për tubimet" neni 2 pika 5, neni 9 gërma a/b, neni 16/c. Gjykata pasi shqyrtoi çështjen në tërësi, administroi provat shkresore, dëgjoi pretendimet e fundit të përfaqësuesit te kërkueses, i cili kërkoi pranimin e kërkesës.
 V Ë R E N
Se kërkuesja Drejtoria e Policise se Qarkut Tirane, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Tiranë, me një kërkesë me objektin e sipërcituar Gjatë hetimit gjyqësor rezultoi se: Sipas kërkesës së kërkueses Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, një grup ish të përndjekurish politik, kanë organizuar dhe po zhvillojne një grevë urie (tubim) në një ambjent të hapur, në rrugën "Hiqmet Delvina" Tiranë. Sipas provave të administruara në dosjen gjyqsore, nuk rezulton që organizatorët e kësaj greve (tubimi) të kenë kërkuar dhe të jenë pajisur me leje përkatëse nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, për zhvillimin e kësaj greve urie, (tubimi). Duke qenë se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është institucioni shtetëror i ngarkuar me ligj, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, ka organizuar shërbime policore të pandërprera 24 orë, për të parandaluar ndonjë incident të padëshiruar. Konkretisht ne dt. 08.10.2012 dhe 10.10.2012, janë rregjistruar dy incidente të rënda, ku pjesmarrësi i grevës së urisë, shtetasi Gjergj Ndreca dhe Irakli Bejko, kanë tentuar të djegin veten me lëndë djegëse në ambjentet e grevës, ku kanë pësuar dëmtime të rënda të rrezikshme për jetën dhe në këto kushte janë dërguar me urgjencë në spital, për të qenë nën kujdesin mjekësor. Përsa i përket dëmtimit me zjarr të shtetasit Gjergj Ndreca, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rregjistruar proçedimin penal në ngarkim të personit nën hetim Perikli Shqevi, akuzuar për veprën penale të "Plagosjes së rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal. Në këto kushte Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, bazuar në nenet 32, 202, 204 të K.Pr.Civile, nenin 197/9 pika 3 të Kodit të Punës, Ligjin nr. 8773, dt.23.04.2001 "Për tubimet", nenin 2 pika 5, nenin 9 gërma a/b, nenin 16/c, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesën që deri në paraqitjen e një kërkesë padie për vlefshmërinë e këtij tubimi, me qëllim për sigurimin e kësaj padie, kërkon ndërprerjen e grevës së urisë (tubimit) e organizuar nga një grup ish të përndjekurish politik, në një ambjent të hapur, në rrugën " Hiqmet Delvina" Tiranë.
vendimi per greven
(Foto: faksimile e vendimit te gjykates)

Nga sa u parashtrua më lart dhe nga shqyrtimi i provave, Gjykata e çmon se kërkesa e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, duhet pranuar për këto arsye: Duke i'u referuar nenit 36 të Kodit të Procedurës Civile, kjo kërkesë me kërkues Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, i përket juridiksionit gjyqsor. Duke i'u referuar nenit 41 e vijues të K.Pr.Civile, kompetente për shqyrtimin e kësaj kërkese, është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjykata bazuar në nenin 176 te K.P.Civile, çmon se kërkuesi Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, legjitimohet në ngritjen e kësaj kërkese, si një organ shtetëror i cili në bazë të ligjit "Për policinë e shtetit", është garantuesi i rendit dhe qetësisë publike. Përsa i përket thelbit të çështjes Gjykata arsyeton se, në rastin konkret jemi para një tubimi i cili përkufizohet në nenin 2 pika 5 e ligjit nr. 8773, dt.23.04.2001 "Për tubimet" në të cilin thuhet: "Tubime kuptohen grumbullime me karakter paqësor dhe pa armë në të cilat një grup personash shprehin kërkesat e pikëpamjet e tyre për problem për të cilat janë të interesuar". Duke i'u referuar Urdhërit për rregjistrimin e procedimit penal dt.09.10.2012 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Plagosjes së rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Perikli Shqevi, i cili bazuar në procedimin penal të mësipërm, është njëri nga pjesmarrësit në greve urie (tubim), Gjykata arsyeton se jemi para kushteve të nenit 9 germa "a" të ligjit nr. 8773, dt. 23.04.2001 "Për tubimet", pasi dy nga pjesmarresit në këtë grevë urie (tubim) dhe pikerisht z.Gjergj Ndreca dhe z.Lirak Bejko, kanë tentuar të vetdigjen, gjë që cënon sigurinë e personave, ndërsa përsa i përket nenit 9 germa "b", në të cilin thuhet se shpërndarja e tubimit bëhet dhe në rast se gjatë zhvillimit të tij kryhen krime, Gjykata arsyeton se pikërisht në këtë grevë (tubim) sipas dokumentacionit të Prokurorisë së Rrethit Tiranë, është akuzuar shtetasi Perikli Shqevi për kryerjen e një krimi, si ajo e "Plagosjes së rëndë me dashje", në dëm të shtetasit Gjergj Ndreca, i cili ka qenë pjesmarrës në këtë grevë urie (tubim). Në këto kushte Gjykata duke e konsideruar se këto incidente gjatë zhvillimit të kësaj greve urie (tubimi) mund të përsëriten dhe se këto incidente mund të vënë në rrezik jetën ose shëndetin e pjesmarrësve parashikuar nga neni 16/c i ligjit nr. 8773, dt. 23.04.2001, "Për tubimet", çmon se duhet vendosur marrja e sigurimit të kërkesë padisë duke urdhëruar shpërndarjen e grevës së urisë (tubimit), që po zhvillohetnga një grup ish të përndjekurish politik, në një ambjent të hapur ne Rr. "Hiqmet Delvina" Tiranë, bazuar në nenet 202, 204 të Kodit të Procedurës Civile. PËR KËTO ARSYE Gjykata në bazë të nenit 306 te K.Pr.Civile VENDOSI • Pranimin e kërkesës së kërkuesit Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. • Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar shpërndarjen e grevës së urisë (tubimit) që po zhvillohet nga një grup ish të përndjekurish politik, në rrugen "Hiqmet Delvina" Tiranë.

• Kjo masë sigurimi padie ka fuqi ligjore për 15 (pesembedhjete) ditë deri në ngritjen e kërkesë padisë përkatëse. • Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkueses. • Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë. • U shpall sot me dt.17.10.2012, në Tiranë.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në Los Angeles, reportazhi i ‘La Repubblica’ nga ferri i Pacific Palisades! Dëme në rrjetin elektrik dhe hidrante jashtë funksionit

Zjarret në Los Angeles, reportazhi i ‘La Repubblica’ nga ferri i Pacific Palisades! Dëme në rrjetin elektrik dhe hidrante jashtë funksionit