Gjykata: Kryebashkiaku i Fierit
i pafajshëm, Akuza: Do apelojmë

TIRANE- Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqo shpallet i pafajshëm nga gjykata e Fierit, ku ishte vënë nën akuzë nga prokuroria e këtij qyteti për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Vendimi është marrë në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të enjte ndërsa mësohet se prokuroria do ta apelojë vendimin në gjykatën e Apelit Vlorë.

Ndërkohë të pafajshëm janë shpallur edhe shtatë zyrtarët e tjerë të komisionit të Strehimit në Bashkinë Fier, mes të cilëve dhe biznesmeni Fatmir Kajolli, të akuzuar nga disa qytetarë për shpërdorim detyre lidhur me shpërndarjen e banesave sociale në këtë qytet. E vetmja që është dënuar në këtë çështje është punonjësja e hipotekës Mimoza Kollçinaku, e cila ka lëshuar dokumentacionin fallso. Dënimi i saj është dhënë me kusht, për shkak të moshës së madhe, pasi Kollçinaku tashmë ka dalë në pension.

Vendimi për kryebashkikaun e Fierit është dhënë nga gjyqtarja Igerta Hysi, ndërsa prokurorët e çështjes ishin Enkelda Shehu dhe Artur Cara. Organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me dy vjet burg për kreun e Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo, i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste por që nuk kandidon më për garën elektorale të 21 Qershorit.

Abuzimi me banesat
Në muajin dhjetor të 2014 kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, 6 anëtarë të Këshillit Bashkiak mes tyre dhe Fatmir Kajolli, person ky i dënuar në Itali për trafik droge, janë marrë të pandehur nga prokuroria e Fierit. Vendimi për komunikimin e akuzës të “Shpërdorimit të detyrës” është marrë nga prokurorët e Fierit, pasi Zeqaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Strehimit dhe 6 personat e tjerë në cilësinë e anëtarëve, kanë abuzuar me dhënien e banesave tek personat e pastrehë.

Në fakt shumë banesa, që jepen me qira të lirë nga bashkia, nuk janë dhënë tek personat në nevojë, por ato i kanë përfituar individë që rezultojnë me biznese, prona dhe pasuri të paluajtshme në qytetin e Fierit. Veç 7 zyrtarëve të bashkisë, njësia Task-Forcë në Fier ka marrë të pandehur dhe një punonjëse të hipotekës, Mimoza Kollçinaku, e cila ndante vërtetime falso si dhe 5 personat Gazmir Dano, Enver Lloshi, Shaban Selaçi, Ylli Dhjari dhe Faslli Zhara, të cilët kanë falsifikuar dokumentat dhe më pas janë shpallur fitues të këtyre banesave, nga ana e bashkisë.

Ndaj Zeqaj dhe 6 anëtarëve të komisionit është marrë masa e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe kjo masë sigurimi është hequr vetëm ditën e djeshme ku ata janë shpallur të pafajshëm.

Kallëzues 15 shtetas
Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Nga materiali kallzues dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambientet e Bashkisë Fier.

Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakort me vlerësimin. Kallzuesit kanë shpjeguar faktin se nuk ka patur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier.

Redaksia Online
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin