Me 5 vota pro, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar sot përfundimin e mandatit të anëtares së saj Sonila Bejtja, duke shpallur kështu dhe vendin e krijuar vakant. Vendimi i sotëm ishte një akt formal, përsa kohë javën e shkuar Gjykata bëri interpretimin e çështjes së mandateve të gjyqtarëve të saj, duke vlerësuar t'i japë përparësi parimit të ripërtëritjes së trupës së saj, çdo tre vjet me nga 3 anëtarë.

Gjykata njoftoi presidentin Bajram Begaj i cili do duhet të hapë tani garën për pasuesin e Bejtes. Kjo e fundit ishte dekretuar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020, pasi më herët një nga anëtarët, Besnik Muçi ishte shkarkuar nga detyra. Muçi pasonte në detyrë gjyqtarin Sokol Berberi.

Në vendimin e javës së shkuar, Kushtetuesja interpretoi se “fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.

Për pasojë në këtë rast "në situatën që mandati i gjyqtarit Sokol Berberi ka mbaruar në datën 25.04.2016 në po atë datë ka filluar edhe mandati kushtetues që ushtron gjyqtarja Sonila Bejtja, i cili, nga ana tjetër, konsiderohet se ka mbaruar në datën e njëjtë të atij muaji të vitit të nëntë, pra në datën 25.04.2025", thuhet në arsyetimin e vendimit të sotëm. Mendim ndryshe kanë pasur gjyqtarët Gent Ibrahimi dhe Holta Zaçaj.

Pas këtij akti, dhe përmbylljes më herët të procedurave për zgjedhjen e pasuesit të Holta Zaçajt, pritet që Gjykata të deklarojë dhe përfundimin e mandatit të Elsa Toskës, duke plotësuar në këtë mënyrë, treshen e anëtarëve që ndryshojnë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë