Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mori një shtysë të fortë politike pasi një gjykatë apeli në Ankara anuloi të enjten kongresin e Partisë Popullore Republikane (CHP) që kishte zgjedhur Ozgur Ozel në krye të opozitës. Ozel ishte zgjedhur kryetar i CHP në kongresin e vitit 2023, duke zëvendësuar ish-liderin historik të opozitës Kemal Kilicdaroglu, një politikan 77-vjeçar që konsiderohej si më pak kërcënues për partinë në pushtet AKP të Erdogan.
Por situata ndryshoi shpejt nën drejtimin e Ozel. CHP nisi të rivalizonte ngushtë me AKP në sondazhe, ndërsa vetë Ozel u kthye në fytyrën kryesore të protestave masive në rrugë në mars 2025, pas arrestimit dhe burgosjes së ish-kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, kandidatit presidencial të CHP dhe rivalit më të fortë politik të Erdogan.
Një gjykatë kishte vendosur vitin e kaluar se padia ndaj kongresit të CHP nuk kishte bazë. Por gjykata e apelit e rrëzoi atë vendim këtë të enjte dhe shpalli të pavlefshëm votimin, duke përmendur parregullsi dhe pretendime se Ozel kishte siguruar mbështetje me premtime për vende pune dhe favore të tjera.
Pas vendimit, Ozel dhe drejtuesit e tjerë të partisë u pezulluan dhe në krye të CHP u rikthye përkohësisht Kilicdaroglu, i cili u bëri thirrje anëtarëve të ruajnë qetësinë. “Partia jonë është shumë e madhe dhe do t’i zgjidhë vetë problemet e saj”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Ozel reagoi ashpër dhe tentoi të mobilizojë mbështetësit. “Ne nuk dorëzohemi”, shkroi ai në rrjetet sociale menjëherë pas vendimit. “Nuk po ju premtoj një rrugë të lehtë drejt pushtetit, por po ju premtoj dinjitet, guxim dhe luftë”.
Vendimi është i fundit në serinë e çështjeve gjyqësore ndaj figurave të CHP dhe ka futur opozitën në kaos politik. Menjëherë pas zhvillimeve, partia mblodhi urgjentisht drejtuesit në selinë në Ankara, ndërsa qindra mbështetës u grumbulluan jashtë me flamuj dhe slogane kundër vendimit.
Reagim pati edhe në tregjet financiare. Indeksi kryesor i bursës së Stambollit ra me më shumë se 6%, duke detyruar aktivizimin e mekanizmave të emergjencës në treg. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi janë planifikuar për vitin 2028, ku Erdogan synon të zgjasë edhe më tej pushtetin e tij që zgjat prej më shumë se dy dekadash.
Komente









