Përkundër insistimit dhe shpërfilljes së Armand Dukës të të gjitha vendimeve që ka nxjerrë kjo gjykatë kundër tij, ditën e djeshme është zbardhur edhe arsyetimi në të cilin janë bazuar vendimet e saj. Po ashtu, bashkë me arsyetimin janë fiksuar edhe parashtrimet e rëndësisë së pakontestueshme të vendimeve të sa, pavarësisht tentativave që mund të bëjë Federata për ta ankimuar çështjen në KAS. Gjykata e Tiranës me anë të arsyetimit të vendimit kundër mosheqjes dorë të Dukës për ta çuar në fund procesin zgjedhor të 2 marsit, shpjegon edhe faktet ku është bazuar për vendimin, duke iu referuar kryesisht dyshimit mbi manipulimin e delegatëve në proces, fakt ky në të cilin ishte e mbështetur edhe padia e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.
Në vendimin e saj, Gjykata ka pranuar kërkesën për pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr. 1, datë 10.01.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë. Gjithashtu, Gjykata vendos që të pezullojë efektet juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi. Njëkohësisht është pezulluar edhe veprimtaria e Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.
ARSYETIMI I GJYKATËS PËR KOMPETENCËN
Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës shprehet se ajo ka të gjithë të drejtat që të shprehet për një çështje të tillë: “Në mbështetje të nenit 36 të Kodit të Procedurave Civile, sipas të cilit: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta. Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të tjera. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata.
Është e pavlefshme çdo marrëveshje që lidhet në kundërshtim me këtë dispozitë, çështja në shqyrtim hyn në juridiksionin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e vendimit. Në vendimin e saj, Gjykata çmon se sipas nenit 37: “Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund t’i kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë”.
Në çështjen në shqyrtim nuk kemi të bëjmë: (1) as me një detyrim ndërmjet të huajve, (2) as me një detyrim ndërmjet një të huaji dhe një shtetasi shqiptar, (3) as me një person juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, dhe (4) as me përjashtime të parashikuara në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, atëherë shqyrtimi i kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHF-së, vazhdon të jetë në juridiksionin e gjykatave shqiptare. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë lëndore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 51, të Kodit Civil në të cilin përcaktohet: Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë tokësore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 43 paragrafi l, të Kodit të Procedurave Civile, në të cilin përcaktohet: “Kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij”. Për aq kohë sa selia e FSHF-së është në Tiranë, atëherë për shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHFsë është kompetente Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në Gjykatë./Panorama.al