TIRANE - Tom Doshi ka këmbëngulur sërish se atentati ndaj tij nuk është inskenim sic pretendon Prokuroria, por gjithcka ka qenë e vërtetë, ndërsa referuar kallëzimit për fshehjen e 23 milionë euro pasuri ai u shpreh se ajo është thjesht një shpifje si në kohën e Berishës.

Doshi nga Gjykata e Lartë ku u refuzua kërkesa për heqjen e masës detyrim paraqitje, deklaroi se disponon të dhëna që inkriminojnë Spartak Brahon dhe Fatjon Skënderin.

Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën për heqjen e masës detyrim paraqitje, ndërsa prokurori Altin Binaj u shpreh në seancë se Doshi mund të paraqitet në prokurori dhe njëherë në muaj pasi hetimet ndaj tij janë drejt fundit.

Teksa trupi gjykues vonoi për disa minuta për të hyrë në sallë, Tom Doshi replikoi me prokurorin Binaj duke i kërkuar videopërgjimin ambiental të kryer me Durim Bamin, e më pas duke ju drejtuar gazetarëve ai tha se Prokuroria nuk ja jep këtë provë pasi kërkon ta manipulojë pasi e vërteta sipas Doshit është ajo e thënë dhe më parë se Bami është kërcënuar.

Doshi nuk nguroi të sfidojë prokurorin për publikimin e të gjitha provave dhe fakteve të grumbullura deri më tani, duke akuzuar për një hetim të paplotë, por në këtë moment prokurori Binaj i kërkoi deputetit nën hetim të tregohet i rezervuar me gazetarët.

Një tjetër replikë e Doshit ishte dhe procesi i marrjes në pyetje i Fatjon Skëndërit, ku sipas Doshit Prokuroria nuk ka bërë hetime, por është mjaftuar vetëm më pyetjen se nëse Skënderi e dinte apo jo ku e kishte shtëpinë Tom Doshi.

Doshi është nën hetim për atentatin e denoncuar prej tij më 2 mars, ndërsa Prokuroria e cilësoi gjithçka një inskenim ndërmjet Doshit, Mark Frrokut e Durim Bamit duke i marrë ata të pandehur për kallëzim të rremë.

Redaksia Online
(v.gj/shqiptarja.com)