Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale hapën një tjetër front mosmarrëveshjesh mes politikës kosovare dhe aleatëve perëndimorë.

Këtë herë, përplasjet nuk kufizohen te Qeveria e Albin Kurtit.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila për vite e kritikoi kryeministrin për tensionet me partnerët ndërkombëtarë, tani kundërshton publikisht qëndrimet e diplomatëve perëndimorë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Analistët dallojnë në vlerësimet nëse politika kosovare po bëhet më e gatshme t’i kundërshtojë qëndrimet e aleatëve perëndimorë.

Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, sheh një prirje të tillë, të cilën e lidh me përpjekjet në rritje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës.

“Po, mendoj se kjo po bëhet politikisht më e pranueshme, e nxitur nga një interesim gjithnjë e më i madh për të pohuar sovranitetin”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Ai i sheh mosmarrëveshjet për Gjykatën Speciale në një kontekst më të gjerë, ku përfshin edhe përplasjet e mëhershme të Qeverisë Kurti me aleatët lidhur me veriun e Kosovës.

“Sipas mendimit tim, PDK-ja ka arsye të mira për ta sfiduar Gjykatën Speciale. Nuk është e habitshme që po e bën këtë - së bashku me Vetëvendosjen”, thotë ai.

Por, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), nuk i sheh kundërshtimet publike të përfaqësuesve të PDK-së si dëshmi të ndryshimit të orientimit të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, përgjegjësinë për këtë politikë e ka Qeveria, ndërsa deklaratat e një partie opozitare nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të shtetit.

“Derisa Qeveria nuk merr hapa konkretë për zbatimin e ligjit, situata do të mbetet në pikën e përplasjes verbale. Në momentin kur Qeveria ndërmerr veprime për zbatimin e ligjit, ky do të jetë një hap drejt përplasjes”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i nxiti mosmarrëveshjet e reja?

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë - të njohura si Gjykata Speciale - shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Shtetet e Bashkuara kërkuan respektimin e tij dhe shmangien e retorikës nxitëse, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjykatës.

Kryeministri Kurti e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme”, por reagimet më të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve perëndimorë erdhën nga PDK-ja, e cila ishte në pushtet kur u krijuan kushtet për themelimin e gjykatës në vitin 2015.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, u kërkoi ambasadorëve të vendeve aleate të kontribuojnë në, siç tha ai, pasqyrimin e drejtë të situatës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi më tej, duke kritikuar direkt ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, pasi ai theksoi se dënimet në Hagë lidhen me përgjegjësinë penale individuale.

“Mos na qitni hi syve”, shkroi Çitaku në rrjetet sociale, duke pretenduar se UÇK-ja ishte cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se aktgjykimi nuk mund të reduktohej në përgjegjësinë e katër individëve.

Trupi gjykues konstatoi pjesëmarrjen e katër të akuzuarve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.

Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja.

Ndryshimet parashohin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

Bashkimi Evropian deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, si dhe garantimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

Por, deputeti i PDK-së dhe iniciuesi i ndryshimeve, Përparim Gruda, e kundërshtoi këtë vlerësim.

“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë obligim që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai më 7 tetor.

Çitaku tha se “është normale” që me aleatët të ketë mospajtime.

“Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, tha ajo.

Nga përplasjet për veriun te Gjykata Speciale

Mospajtimet me aleatët perëndimorë, që luajtën rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe mbështetën shtetndërtimin e saj, nuk janë të reja për Qeverinë Kurti.

Në vitet e fundit, ato u përqendruan kryesisht te veprimet e institucioneve të Kosovës në veriun me shumicë serbe - përfshirë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në vitin 2023 dhe mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia.

Qeveria i arsyetoi këto veprime me ushtrimin e sovranitetit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit, ndërsa partnerët perëndimorë kritikuan mungesën e koordinimit dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.

Vetë Kurti këmbëngulte se marrëdhëniet me aleatë nuk nënkuptojnë pajtim për çdo çështje.

Por, mosmarrëveshjet shkuan përtej shkëmbimit të deklaratave, duke sjellë edhe pasoja diplomatike.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, duke pezulluar vizitat e nivelit të lartë dhe pjesë të bashkëpunimit financiar.

Vitin e kaluar, SHBA-ja pezulloi nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.

PDK-ja ishte ndër partitë që kritikuan zëshëm Qeverinë Kurti për, siç thuhej, dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët.

Mes kundërshtimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatët

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, zëvendëskryetar i parë i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thotë se reagimet e fundit të partisë së tij duhet të mirëkuptohen.

Ai kujton se partnerët perëndimorë kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015 dhe, sipas tij, duhet të tregojnë mirëkuptim edhe për ndryshimet e tanishme në ligj.

“Nëse atëherë është mbështetur dhe përkrahur, do të duhej edhe tash të ketë përkrahje dhe mbështetje”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së komunikimit të kujdesshëm dhe institucional me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne, si çdoherë, rreth situatave që kanë qenë po aq të komplikuara, mbase edhe më të komplikuara, e kemi ruajtur gjakftohtësinë dhe komunikimin. Do të duhej të rikthehemi pikërisht tek ajo formë dhe mënyrë e komunikimit”, thotë ai.

Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se përplasjet e viteve të fundit tani po marrin një dimension tjetër, me përfshirjen e PDK-së.

“Dhomat e Specializuara e kanë nxjerrë në sipërfaqe këtë raport edhe me PDK-në. Pak a shumë është zgjerim i këtyre raporteve të kushtëzuara”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai paralajmëron se vazhdimi i përplasjeve mund të nxisë kërkesa të tjera politike, deri te zhbërja e Dhomave të Specializuara.

Sipas tij, Kosova duhet të shmangë përplasjet verbale dhe të rikthejë mirëbesimin me aleatët, ndërsa edhe BE-ja t’i trajtojë shqetësimet për funksionimin e gjykatës.

Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, përplasjet e tanishme janë pasojë e vendimeve të vitit 2015, kur partia e saj kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Atëherë ne e kemi përballuar presionin. Edhe tash e përballojmë. Tash, le ta bëjë luftën PDK-ja. Le t’i bëjnë ballë presionit institucionet shtetërore”, thotë Kadrijaj.

A mund të ketë pasoja për Kosovën?

Të mërkurën, më 15 tetor, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes Justina Shiroka Pula për dekretim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Presidentja ka tetë ditë kohë për të vepruar.

Por, mbetet e paqartë se si do të ndikojnë ndryshimet ligjore në funksionimin e gjykatës dhe në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët perëndimorë.

Për Pecin, rreziku kryesor nuk qëndron te deklaratat e politikanëve, por te mundësia që mosmarrëveshjet të shndërrohen në përplasje institucionale.

Dhomat e Specializuara funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës, ndërsa mandati dhe pavarësia e tyre mbështeten edhe në dispozitat kushtetuese dhe në detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Sipas Pecit, nëse institucionet e Kosovës ndërmarrin hapa për zbatimin e dispozitave që kufizojnë kompetencat e gjykatës, mosmarrëveshjet me Bashkimin Evropian mund të thellohen.

Një tjetër pikë e mundshme përplasjeje, sipas tij, është kërkesa eventuale që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

Një ditë më herët, më 14 tetor, Qeveria themeloi edhe një grup punues për hartimin dhe koordinimin e një strategjie shtetërore për procedurat e apelit në Hagë, me synim bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.

Megjithatë, krijimi i këtij grupi nuk nënkupton vetvetiu zbatimin e ndryshimeve ligjore që kundërshtohen nga BE-ja.

Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mosmarrëveshjet me partnerët perëndimorë.

Peci vlerëson se një moment tjetër vendimtar për zhvillimin e këtyre raporteve mund të jetë rezultati i apelit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Nëse aktvendimi do të jetë lirues, kjo çështje mbyllet me kaq. Por, nëse nuk është lirues, atëherë do të fillojë përplasja edhe më e madhe”, thotë ai.

Serwer, në anë tjetër, thekson rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe NATO-n, veçanërisht për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sigurinë.

“Kosova duhet të sigurojë që marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n të mbeten të forta. Kjo është e vështirë kur Prishtina këmbëngul në pohimin e sovranitetit të saj, por konsultimet dhe koordinimi mund të shmangin shumë nga kurthet dhe problemet e mundshme”, thotë ai.

Për momentin, BE-ja nuk ka të paralajmëruar ndonjë masë konkrete ndaj Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, kundërshtimet e saj u shoqëruan me paralajmërime për rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit në procesin e integrimit evropian.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, më 12 tetor./ REL