Gjykata Speciale, Mustafa: S'dimë
se kush dhe sa vetë do të akuzohen

Gjykata Speciale, Mustafa: S'dimë<br />se kush dhe sa vetë do të akuzohen
PRISHTINE - Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur sot interpelancë me Kryeministrin Isa Mustafa lidhur me çështjen e themelimit të Gjykatës Speciale e cila do të shqyrtojë rastet dhe akuzat e mundshme për krime lufte.

Në fjalën e tij Kryeministri Mustafa u shpreh se themelimi i Gjykatës Speciale është një detyrim ligjor, i miratuar nga Kuvendi dhe një kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë për të ardhmen e vendit. Megjitha shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se nuk dihet se sa persona dhe se kush janë ata që do të akuzohen dhe gjykohen për krime lufte.

Nga ana e tij zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nënvizoi se nëse nuk do të ishte Kuvendi i Kosovës që do të bënte themelimin e kësaj Gjykate, atëherë do të ishte Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë nga opozita Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se themelimi i kësaj gjykate cënon Kushtetutën e vendit.
 
Ora 11:25 Thaçi: Po nuk e themeluam ne, e bën OKB 
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi tha se drejtësia e luftës së Kosovës është vulosur në tërë Kosovën me sakrificën e gjithë qytetarëve. Sipas tij e ardhmja e Kosovës do të jetë e mjegullt nëse nuk veprohet ashtu si është kërkuar për themelimin e Gjykatës. Në këtë drejtim  ai tha se për shkak të së ardhmes duhet të punohet për themelimin e Gjykatës Speciale. Por edhe nëse ajo nuk do të themelohet nga Kuvendi i Kosovës do të themelohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“E kaluara jonë nuk do të gjykohen. Lufta e shenjtë për liri nuk do të gjykohet. Alternativa tjetër është themelimi i Gjykatës Speciale nga OKB’ja. Alternativa është shumë e dhimbshme dhe tërësisht jashtë autoritetit dhe ligjeve të Kosovës”, ka shtuar ai.

thaci

Ora 11:07 Mustafa: Nuk e dimë se kush dhe sa do të gjykohen
“Nuk kemi informacione për numrin e atyre dhe as kush janë ata që do të akuzohen për krime lufte nga Gjykata Speciale”. Deklarata është bërë nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në interpelancën e sotme në Kuvend.
 
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Mustafa, tha se qeveria e Kosovës do respektojë marrëveshjet e ratifikuara në Kuvend për sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale. Shefi i qeverisë u shpreh se Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale ishte miratuar me 2/3 e deputetëve dhe si i tillë do të zbatohet. Por nga ana tjetër kryeministri nënvizoi se nuk dihet se sa persona dhe kush do të jenë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë.
 
“Qeveria zbaton ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës. Themelimi i Dhomave të Veçanta nuk cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë. Do të respektohen në maksimum të drejtat dhe liritë e atyre që do të akuzohen por ne nuk kemi informacione për numrin e atyre dhe as kush janë ata që do të akuzohen për krime lufte nga Gjykata Speciale”, tha Mustafa

mujstafa
 
Ora 10:57 Konjufca: Cenohet Kushtetuta e Kosovës
Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se themelimi i Gjykatës Speciale krijon paralelizëm në të gjitha institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Ai u shpreh se me Kushtetutë sistemi i drejtësisë është i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në kundërshtim me këtë, sipas tij, me themelimin e Gjykatës Speciale cenohet Kushtetuta.

Redaksia Online
(e.c/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni