Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi mori pjesë edhe në arrestimin e 13 personave në Qirez.
“Rexhep Selimi ishte themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit. Ai kishte rol në shpërndarjen e komunikatave. Pozita e tij zyrtare si inspektor i përgjithshëm i dha më pak pushtet krahasuar me të tjerët. Selimi luajti rol thelbësor në zonat operative, por ky rol nuk ishte kriminal. Megjithatë, ai i inspektoi shpesh këto zona dhe mori raporte të shpeshta për persona të ndryshëm. Për shkak të përfshirjes së tij në sulmet e paraluftës, ai ishte plotësisht në dijeni se kjo ishte politika e UÇK-së. Ai emëroi persona besnikë në pozita kyçe. Shumë prej tyre kryenin krime ose ishin në dijeni të qëllimit të përbashkët. Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime, në mënyra të ndryshme që përshkruhen në aktgjykim. Ai mori pjesë në arrestimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa vende krimesh të paraqitura në aktakuzë.
Selimi inkurajoi kryerjen e krimeve përmes pjesëmarrjes në luftë, mosmarrjes së veprimeve për parandalimin ose ndëshkimin e krimeve kur merrte raporte, si dhe krijimit të precedentit se krimet ishin të pranueshme, përmes pjesëmarrjes personale në to. Ai kishte dijeni për krimet ndaj kundërshtarëve, ndalimin e paligjshëm dhe keqtrajtimin e tyre. Kur u bë ministër i Rendit, ai ndërhyri për të siguruar lirimin e katër anëtarëve të UÇK-së, të cilët ishin ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi. Ai nuk siguroi që UÇK-ja të vepronte në përputhje me detyrimet e saj sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare. Përkundrazi, toleroi shkelje të rënda të kësaj të drejte”, tha gjyqtari.
Lajmi kryesor:
Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte! Nga 25 vite për Thaçin e Krasniqin, rrëzohen akuzat për krime kundër njerëzimit (VIDEO)


