TIRANE - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua sot seanca e radhës në ngarkim të tre të pandehurve, të cilët akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha.

Të pandehurit, Arben Sefgjini, Ilir Koldashi dhe Ilir Kumbaro, në senacën e sotme ishin të përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës, përkatësisht avokati Zef Nika, Asaf Hadëri dhe Vajo Bregu. I pandehuri Ilir Kumbaro, i cili ndodhet në arrati dhe i shpallur në kërkim, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, z. Bregu i kërkoi gjykatës të marrë informacion zyrtar prej Shërbimit informativ kombëtar për funksionin e tij të punës dhe zonën operative që ai mbulonte.

Këtë kërkesë ai e bazon në dëshminë e tij, duke pretenduar se nuk ka qenë shef i operacioneve në Shik në periudhën 90-96 por një informator i thjeshtë, si 1000 të tillë që kishte në atë periudhë. Ndërsa Avokati i paraqiti gjykatës një kërkesë me disa pika, ku ndër to kërkohej mënyra e funksionimit të SHIK në periudhën 1990-1996, ndarjen e zonave operative si dhe funksionet dhe përgjegjësit e klientit të tij Ilir Kumbaro.

Organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurore Elizabeta Ymeraj, nuk i pranoi kërkesat e palës mbrojtëse, duke thënë se avokati nuk shpjegon pse i kërkon këto informacione dhe pse do të shërbejnë ato në gjykimin e duke mos pranuar dhe kërkesën për rimarrjen në pyetje të dëshmitarit Avdyl Loshaj. Trupi gjykues pranoi kërkesën për dhënien e informacionit zyrtar se ç’pozicion ka pasur i pandehuri dhe zonën e mbulimit të tij, sepse sipas organit të akuzës këto informacione janë të panevojshme për gjykimin.

Unanimisht gjykata rrëzoi kërkesën, për marrjen e informacionit se si funksiononte SHIK në periudhën 90-96 si dhe kërkesën për rimarrje në pyetje të dëshmitarit Avdyl Loshaj, duke arsyetuar se procedura e marrjes në pyetje ndaj Loshës ka qenë e rregullt dhe e saktë.

(ar/Shqiptarja.com)