Ministria e brendshme e Turqisë njoftoi se Ekrem Imamoglu është shkarkuar nga detyra si kryebashkiak i Stambollit. Kjo lëvizje vjen pasi ai u la në burg nga gjykata me akuzat për korrupsion.
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, është zyrtarisht në arrest, pas katër ditësh në paraburgim dhe nën hetim. Një gjykatës në Stamboll ka vendosur ta mbajë atë në burg, duke pranuar akuzat për korrupsion të paraqitura nga prokuroria. Megjithatë, janë rrëzuar akuzat për "favorizim të terrorizmit", të cilat do ta kishin çuar menjëherë në shkarkimin e tij nga detyra dhe vendosjen e një administrate të përkohshme në Bashkinë e Stambollit.
Sipas Ministrisë së Brendshme turke, Imamoglu është pezulluar përkohësisht nga detyra si kryebashkiak i Stambollit pas konfirmimit të arrestit për korrupsion dhe është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Marmara, në distriktin Silivri. Krahas tij, është pezulluar edhe Murat Calik, kryetari i Bashkisë së Beylikduzu, një tjetër zonë e Stambollit, i cili po ashtu është arrestuar në të njëjtën çështje. Ndërkohë, prefekti i një tjetër distrikti të qytetit, Sisli, është emëruar përkohësisht si kryetar i këtij rajoni në vend të Resul Emrah, arrestimi i të cilit është konfirmuar me akuzën për terrorizëm.

"Nuk do të dorëzohem kurrë"
Përpara arrestimit, Imamoglu shkroi në një mesazh në rrjetin social X: “Nuk do të dorëzohem kurrë. Do ta largojmë këtë njollë nga demokracia jonë.” Kjo është një tjetër goditje politike dhe gjyqësore që ka tronditur Turqinë. Kryetari i CHP-së, partisë kryesore opozitare, Ozgur Ozel, në një intervistë për gazetën italiane Repubblica, e quajti këtë një "grusht shteti civil" nga ana e presidentit Recep Tayyip Erdogan, duke e akuzuar për "shfrytëzimin e ndikimit dhe kontrollit mbi mediat dhe gjyqësorin për të eliminuar kundërshtarët politikë".
Një rival i fortë për Erdogan
Ekrem Imamoglu është një yll në rritje në politikën turke dhe konsiderohet si rivali më i fortë i presidentit Erdogan, me mbështetje që varion nga 52% deri në 58% sipas sondazheve për një përballje të mundshme në zgjedhjet presidenciale. Një socialdemokrat dhe një mysliman liberal, Imamoglu është një figurë që arrin të komunikojë me të gjithë – laikë e besimtarë, punëtorë e biznesmenë – dhe kjo ka bërë që ai të zgjerojë mbështetjen për Partinë Republikane, pasardhësen e partisë së Ataturkut, duke e bërë atë sërish konkurruese ndaj AKP-së së Erdoganit.
Fama e tij u rrit ndjeshëm në vitin 2019 kur fitoi zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Stambollit, duke ia marrë qytetin konservatorëve që e kishin udhëhequr për 20 vjet. Erdogan ka thënë gjithmonë: "Kush humb Stambollin, humb Turqinë", një deklaratë që vjen nga përvoja e tij, pasi edhe ai e nisi karrierën politike si kryebashkiak i Stambollit. Megjithatë, pas fitores së Imamoglut, zgjedhjet u anuluan për arsye teknike, por ai garoi përsëri dhe fitoi përsëri, madje edhe më thellë. Po e njëjta gjë ndodhi sërish vitin e kaluar, duke konfirmuar mbështetjen e tij të gjerë.
Hetimet dhe presioni politik
Paralelisht me suksesin e tij politik, edhe problemet gjyqësore janë shtuar. Prokurori i Stambollit ka hapur të paktën pesë hetime ndaj tij, me akuza që përfshijnë edhe "fyerjen e komisionit zgjedhor". Javën e kaluar, Universiteti i Stambollit – rektori i të cilit është emëruar nga qeveria – anuloi diplomën universitare të Imamoglut, duke e penguar atë që të garojë në zgjedhjet presidenciale, përveç nëse arrin të fitojë apelimin e tij ligjor.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur një komplot të orkestruar për ta diskredituar dhe për ta nxjerrë nga skena politike. Erdogan, nga ana tjetër, i ka cilësuar qindra mijëra protestues që kanë dalë në rrugë në të gjithë Turqinë si "grupe margjinale" dhe ka premtuar një qasje të ashpër ndaj atyre që "kërkojnë të krijojnë kaos".
Protesta dhe tensione
Që nga arrestimi i Imamoglut të mërkurën e kaluar, mijëra qytetarë kanë dalë në protesta në Stamboll dhe në shumë qytete të tjera të Turqisë. Përplasjet me policinë kanë çuar në mbi 400 arrestime, ndërsa disa llogari në rrjetet sociale janë bllokuar. Protestat po udhëhiqen kryesisht nga të rinjtë në të 20-at, të shqetësuar për të drejtat e tyre dhe të ardhmen e demokracisë në vend.
Forcat e sigurisë kanë vendosur masa të forta në Stamboll, duke kufizuar hyrjet në qytet dhe duke zgjatur ndalimin e protestave politike deri më 27 të këtij muaji.
Ndërkohë, sot Partia Republikane ka konfirmuar mbajtjen e zgjedhjeve paraprake për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Votimi nisi në orën 8 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 17 me kohën lokale. Në garë është vetëm një kandidat: Ekrem Imamoglu.
Komente


Ka akuza me te renda se te veliajt...per cfare protestojne..nese i njejti mentalitet do ishte dhe ketu, populli duhet te kishte rrezuar te gjitha instancat gjyqesore me dhune. Per cfare mbahet veliaj eshte qesharake
Përgjigju