Një gjykatës në SHBA ka vendosur se mbyllja efektive e Zërit të Amerikës (VOA) vitin e kaluar ishte “e paligjshme” dhe se qindra gazetarë duhet të rikthehen në punë. Gjykatësi Royce Lamberth u ka dhënë autoriteteve një javë kohë që VOA të rikthehet në transmetim.

Zëri i Amerikës u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore për të kundërshtuar propagandën naziste.

Vetëm disa javë pasi u rikthye në detyrë si president, Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv për të mbyllur median, të cilin zyrtarët e tij e akuzuan për paragjykim të majtë. Trump gjithashtu urdhëroi që media si Radio Europa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë të “eliminohen në masën maksimale të lejuar nga ligji”.

Presidenti emëroi Kari Lake në krye të Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM),kompania mëmë që mbikëqyr dhe financon Zërin e Amerikës, si dhe Radio Europa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë.

Lake shkarkoi më shumë se 85% të punonjësve të agjencisë, mbi 1,000 anëtarë të stafit vetëm në Zërin e Amerikës duke lënë në detyrë vetëm një numër shumë të vogël punonjësish.

Javën e kaluar, gjykatësi Lamberth vendosi se Lake nuk kishte autoritet të urdhëronte pezullimin e fuqisë punëtore të USAGM, pasi ajo nuk ishte konfirmuar nga Senati i SHBA-ve.

Në vendimin e së martës, gjykatësi federal e përshkroi vendimin për të shkarkuar gazetarët si “arbitrar dhe kapriçioz”, duke shtuar se qeveria nuk kishte marrë parasysh legjislacionin që përcakton se në cilat gjuhë dhe rajone duhet të shërbejë VOA.

“Të pandehurit nuk kanë ofruar asgjë që t’i afrohet një baze të arsyetuar për vendimin e tyre,” shkroi Lamberth.

Tre gazetarë të VOA-s e kanë paditur administratën Trump. Një prej tyre, Patsy Ëidakusëara, tha se ishte thellësisht mirënjohëse për vendimin e gjykatësit.

“Shpresojmë që populli amerikan të vazhdojë të mbështesë misionin tonë për të prodhuar gazetari, jo propagandë,” i tha ajo agjencisë së lajmeve Associated Press.

Para se të mbyllej, Zëri i Amerikës transmetonte përmbajtje televizive, radio dhe dixhitale në pothuajse 50 gjuhë.