Nga Brukseli, ku po zhvillohet Forumi i II-të i Zgjerimit të Bashkimit Europian me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit në BE.

“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e BP-së, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”, tha mes të tjerash von der Leyen.

Von der Leyen, solli në vëmendje procesin historik të zgjerimit të BE-së, duke kujtuar se 30 vite më parë diskutohej për zgjerimin më të madh të Bashkimit Evropian. Në atë kohë, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën rrugëtimin për t'u rikthyer sipas saj, në familjen e tyre evropiane.

Ajo theksoi se zgjerimi, veçanërisht ai i vitit 2004, transformoi jetën e miliona qytetarëve dhe solli një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik.

Si shembull të këtij transformimi, von der Leyen përmendi Poloninë dhe Bjellorusinë, të cilat 30 vite më parë kishin nivele të krahasueshme të zhvillimit ekonomik, ndërsa sot Prodhimi i Brendshëm Bruto i Polonisë është tri herë më i madh se ai i Bjellorusisë.

“30 vite më parë debatohej për zgjerimin më të madh ndonjëherë të BE-së. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën të gjenin rrugën e tyre për në “shtëpi”. Zgjerimi transformoi jetën e miliona njerëzve duke nisur që nga viti 2004. Zgjerimi solli transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. Polonia dhe Bjellorusia ishin të dyja njësoj. Sot GDP-ja e Polonisë është 3 herë më e madhe sesa e Bjellorusisë.

Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë. Nëse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore do të kishin mbetur jashtë, a do t’i kishim bërë dot ballë sot Rusisë? Ato sot forcojnë kufirin tonë lindor, sepse është një kufi i BE-së. Shtetet që përgatiten për t’u futur në BE kanë shumë për të na ofruar”, tha mes të tjerash Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se përveç vendeve kandidate, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm. Ky proces, sipas saj, duhet të nisë nga mënyra se si funksionon dhe merr vendime vetë Unioni, duke theksuar se edhe traktatet evropiane duhet të mbështesin afrimin dhe integrimin e vendeve të reja.

Në përfundim, von der Leyen theksoi se vendet kandidate duhet ta kenë të qartë se përparimi në reforma duhet të përkthehet në përparim drejt anëtarësimit dhe në përfitime konkrete nga integrimi në tregun e përbashkët evropian, për të dyja palët.

“Duhet të përgatitin edhe Unionin. Fillon me vendimmarrjen e BE-së. Traktatet tona po bëjnë që tani punë për afrimin. Shtetet duhet të dinë që progresi në reforma sjell progres në anëtarësim dhe në tregjet e përbashkëta për të dyja palët. Bashkë mund të hedhim hapin e radhës në bashkimin e familjes sonë evropiane”, shtoi von der Leyen.

Nga ana tjetër, komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të debatit politik dhe se rezultatet e arritura gjatë këtij viti janë më të mëdha se në 25 vitet e fundit.

Ajo paralajmëroi gjithashtu për përpjekjet e aktorëve kundërshtarë për të dëmtuar vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që këto përpjekje të pengojnë procesin e zgjerimit.

“Sot zgjerimi është sërish në një debat të gjerë se si. Kemi dhënë rezultate për zgjerimin këtë vit më shumë sesa në 25 vitet e fundit. Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha mes të tjerash Marta Kos.

I pranishëm në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që zhvillohet në Bruksel është edhe kryeministri Edi Rama. Forumi do të fokusohet në progresin e vendeve kandidate, Paketën e Zgjerimit të këtij viti dhe perspektivën e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar dhe më rezistent.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:54
“Rusia kërkon të zhbëjë bashkimin e Europës”, Marta Kos: Po përpiqet të pengojë zgjerimin e BE-së dhe të dëmtojë vendet kandidate! Nuk do ta lejojmë

1794822933_dzrudtyo.JPG

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në Forumin e Zgjerimit të BE-së se Rusia po përpiqet të zhbëjë procesin e 'unifikimit' të bashkimit europian, duke synuar të pengojë zgjerimin e BE-së dhe të dëmtojë vendet kandidate.

Kos theksoi se objektivi kryesor i këtyre përpjekjeve është vetë Bashkimi Europian, ndërsa paralajmëroi se Europa nuk do ta lejojë Rusinë të pengojë procesin.

“Çfarë Europe duam të jetojmë dhe t’u lëmë brezave të ardhshëm? Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë në vend, ndërkohë që bota gjeopolitike po ndryshon në mënyrë kaq dramatike. Nëse duam të formësojmë të ardhmen e Europës, a mund t’ia lejojmë vetes të mos e përfundojmë bashkimin e saj? Shikoni rreth kësaj salle. Sot kemi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme: presidentë, kryeministra, ambasadorë, ministra, përfaqësues të medias dhe biznesit. Kjo i dërgon një mesazh botës: politika është rikthyer te zgjerimi. Dikur, zgjerimi ishte përgjigjja e Europës ndaj përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ne arritëm të pranonim me sukses 13 shtete të reja anëtare.

Sot, zgjerimi është sërish pjesë e një debati shumë më të gjerë për mënyrën se si do ta formësojmë të ardhmen e Europës, për të garantuar paqen, lirinë dhe mirëqenien për dekadat që vijnë. Këtë e shohim edhe te shpejtësia me të cilën disa vende kandidate po ecin përpara. Vetëm këtë vit kemi arritur më shumë rezultate se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit. Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një mjedis gjeopolitik shumë më konkurrues. Po përballemi me kundërshtarë që duan të pengojnë procesin dhe të dëmtojnë vendet kandidate, ndërsa objektivi i tyre kryesor jemi ne, Bashkimi Europian. Rusia kërkon të zhbëjë procesin e bashkimit europian dhe përgjigjja jonë është: Nuk do ta lejojmë të ndodhë!”, deklaroi Kos.