Pas dështimit të seancës gjyqësore në GJKKO ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, kjo e fundit ka deklaruar për mediat se vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot kundër rregullores së re të GJKKO-së, po i pengon të drejtën për t’u mbrojtur.
Kryemadhi tha se përmes shtyrjes së seancave gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve, po krijohet një lloj destabiliteti ligjor, veç pengimit të normalitetit në jetën e saj.
“Ne në seancën e kaluar na u njoftua se do të vijojmë mbrojtjen pa avokat. Duke qenë se jemi në fazën e parashtrimeve, s’ka nevojë për avokat. Megjithatë, edhe prezenca e avokatëve që ishin në sallë të gjithë, por jo me pelerinën e avokatit, që në njëfarë mënyre tregon një ngërç që është krijuar në të gjithë këtë sistem, sepse është një vendim që është marrë nga një grusht njerëzish, pra nga një Këshill Kombëtar i Avokatëve, por jo nga të gjithë avokatët. Gjykata pretendon se ka një vendim gjykate, por ky vendim gjykate nuk u është bërë i njohur avokatëve. Sepse kanë qenë një shoqatë e avokatëve kundër korrupsionit që kanë bërë padinë përsa i përket vendimit të avokatëve për bojkotin.
Kjo mua nuk më intereson fare. Mua më intereson që i gjithë ky proces, mua më shpërdoron të drejtën e mbrojtjes. Pra kjo do të thotë që më ke vendosur me ligj për të më mbrojtur një avokat, por ky avokat nuk vjen sepse nuk i do qejfi të vijë. Ndërkohë që nuk më lejon as të mbrohem vetë. Më pezullon dhe më pengon normalitetin e jetës time apo të dikujt tjetër. Kjo krijon një lloj destabiliteti edhe ligjor, veçse emocional, në marrëdhënie mes qytetarëve e avokatëve, qytetarëve e gjykatës. Ne kemi ndërtuar një reformë në drejtësi që nuk i mbrojmë fare qytetarët. E kam thënë që në fillim që kjo çështje do durim strategjik”, tha mes të tjerash Kryemadhi.
Lajmi kryesor:
Shtyhet për në 5 nëntor gjyqi ndaj Metës e Kryemadhit në GJKKO, gjobiten avokatët! Ish-Presidenti: Çojini bukë Veliajt në qeli, ia hoqën pasi shau Vuçiçin!










