Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar gjyqi ndaj deputetit të Partisë Demokratike (ish-kryebashkiak i Shkodrës), Bardh Spahia.

Gjatë seancës, avokati i deputetit ka depozituar një tjetër 'provë', e cila lidhet me një procedurë prokurimi, ku sipas tij, Mark Molla, në cilësinë e drejtorit të Ujësjellësit të Shkodrës, nuk e ka kryer siç duhet detyrën lidhur me këtë tender, pasi vendimi i tij është rrëzuar nga Komisioni i Prokurimeve Publike. Mësohet se bëhet fjalë për tenderin e furnizimit me klor, por SPAK ishte kundër administrimit të kësaj prove.

Por Prokuroria e Posaçme doli kundër pasi sipas tyre prova e dorëzuar nga avokati nuk lidhet me arsyet e shkarkimit të ish-drejtorit Mark Molla nga ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.

Kujtojmë se SPAK e çoi për gjykim ish-kryebashkiakun e Shkodrës më 26 shkurt, pasi dyshohet se Spahia ka vepruar në shkelje të ligjit duke shkarkuar drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, Mark Molla, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor për pezullimin e atij akti. Më pas Spahia emëroi një anëtar të FRPD-së në krye të këtij institucioni.

Bardh Spahia është marrë i pandehur dhe po gjykohet për veprën penale “pengim i ekzekutimit të vendimit të gjykatës”.

Gjyqtarja Rudina Palloj mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u dha kohë palëve të përgatiten për diskutimet gjyqësore, ku SPAK do të paraqesë pretencën më 3 shkurt, ora 10:00.

Pjesë nga diskutimet në GJKKO:

Avokati i Bardh Spahisë: Po ju depozitojmë rastin e një procedure prokurimi, ku Mark Molla, në cilësinë e drejtorit të Ujësjellësit, nuk e ka kryer siç duhet detyrën lidhur me këtë tender, pasi vendimi i tij është rrëzuar nga Komisioni i Prokurimeve Publike.

Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko: Ne mbajmë të njëjtin qëndrim për këtë provë, sepse na është bërë me dije që në fazën e hetimit paraprak. Fakti që ai pretendon të provojë nuk lidhet me shkakun për të cilin ai akuzohet. Bardh Spahia mund të ndiqte rrugë të tjera ligjore, si auditimi etj., për mos përmbushjen e detyrave si drejtor nga Mark Molla. Kërkojmë që kjo provë të mos pranohet si provë e re dhe të mos bëhet pjesë e shqyrtimit gjyqësor. Nuk ka lidhje me lirimin nga detyra të administratorit.