Një ditë pasi në Bruksel diskutoi me liderët e BE ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit, Kryeministri Rama zgjodhi të udhëtojë disa qindra kilometra më tutje, në Hagë, atje ku thotë se po konsumohet padrejtësia ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Para këtij takimi gjatë një komunikimi live me qytetarët në Facebook kreu i qeverisë tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët mbahen peng nga një drejtësi që siç tha ai “është turp për ata që e sponsorizojnë”.

“Do të takoj pas disa kohësh tanimë nga takimi i mëparshëm Komandantin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare për turpin e madh të të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie, ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë”, tha Rama.

Rrugës për në kryeqendrën e drejtësisë evropiane, thotë se procesi gjyqësor është tërësisht një farsë. Kryeministri thotë se uron që vitin e ardhshëm ti jepet fund këtij teatri absurd, pasi vitin e ardhshëm pritet të shpallet edhe vendimi për ish-krerët e UÇK-së të cilët prej 5 vitesh mbahen në qeli. 

“Tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës dhe që ka mbaruar edhe parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza, si dhe kanë mbaruar dhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi

Uroj, shpresoj, lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtarë dhe i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thaçit dhe i tre bashkëluftëtareve të tij”, tha Rama.

Pas takimit, Thaçin thotë se e gjeti në formë të mirë, ndërsa thirrjen për drejtësi ia drejtoi sërish ndërkombëtarëve që të mos lejojnë përdhosjen e luftës së drejtë të UÇK-së për mbijetesë.

Kosova nga ana tjetër ka arritur të heqë të gjitha masat penalizuese nga Bashkimi Evropian dhe suksesin kryeministri Rama ia dedikoi tërësisht Presidentes Vjosa Osmani.

“Presidentja e Kosovës ka shkëlqyer. Ka shkëlqyer dhe me fjalë bindëse, por edhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe i një koordinimi të mirë që kemi bërë në javët e fundit, pa dashur këtu të marr asnjë meritë, ia ka që të zhbllokojë më në fund të gjitha ato fonde të bllokuara prej disa kohësh nga ana e BE-së”, vijoi Rama.

Ndërsa Shqipëria thotë Rama ndodhet në kushtet më të mira ndonjëherë duke theksuar domosdoshmërinë që Komisioni dhe BE t’i qëndrojnë marrëveshjes për të mbyllur negociatat brenda 2027-ës, për herë të parë me doza të larta skepticizmi.

Deklarata e plotë e Ramës

Jam në makinë rrugës për në Hagë, ku do të takoj pas disa kohësh tanimë nga takimi i mëparshëm Komandantin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare për turpin e madh të të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie, ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratisht nga populli së bashku me tre bashkë luftëtarë që kanë mbuluar detyrat nga më të rëndësishmet në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, mbahen të izoluar. Tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës dhe që ka mbaruar edhe parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza, si dhe kanë mbaruar dhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi

Uroj, shpresoj, lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtarë dhe i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thacit dhe i tre bashkëluftëtareve të tij.

Uroj dhe shpresoj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulëta, mbi nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit, të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi satrap, të vetmin faj kanë se morën armët për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur dinjitetin e tyre njerëzor, për të mbrojtur të drejtën e tyre të pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke nën të njëjtin diell dhe jo si një grup social i përdhunuar për shkak të etnisë vet në një diktaturë.

Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush dhe lëre më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare, që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit kur i themi ne, shqip fare.

Unë dua shumë të besoj se në fund e drejta do të fitojë dhe këtu nuk ka dy apo tre të drejta. Këtu ka vetëm një të drejtë, që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, e martirëve, me dhimbjen e patregueshme të nënave, të motrave, të grave dhe vajzave, të përdhunuara e të sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat për vetë Evropën, në zemër të Evropës.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë të them që kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues, që ka qenë i suksesshëm dhe për Shqipërinë po se po, por edhe për Kosovën meqë jemi në këtë temë, ku për hir të së vërtetës, dua ta them, Presidentja e Kosovës ka shkëlqyer. Ka shkëlqyer dhe me fjalë bindëse, por edhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe i një koordinimi të mirë që kemi bërë në javët e fundit, pa dashur këtu të marr asnjë meritë, ia ka që të zhbllokojë më në fund të gjitha ato fonde të bllokuara prej disa kohësh nga ana e BE.

Përsa i përket specifikisht Shqipërisë, jemi në kushte siç nuk kemi qenë ndonjëherë; të respektuar maksimalisht, të vlerësuar maksimalisht dhe të mirëpritur maksimalisht në ‘’tempullin’’ e Evropës politike, në Bruksel ku qëndrimi im ka qenë ai që dini dhe mënyra se si e kam mbajtur qëndrimin, ka qenë ajo që dini; troç, drejt, pa dorashka sepse siç e kam thënë dhe ua kam thënë miqve dhe kolegëve të BE, unë them atë që mendoj dhe bëj pastaj atë që thonë ata, në sensin që ne ‘’detyrat e shtëpisë’’ i bëjmë në mënyrë korrekte sepse e dimë shumë mirë që përmes atyre detyrave të shtëpisë do të jemi pjesë e BE.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, ne fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, pa asnjë kompleks si të barabartë mes të barabartësh dhe kjo na e ka rritur edhe vlerën do thosha, në këto tryeza.

Kam theksuar se hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim, kam ripërsëritur domosdoshmërinë që Komisioni dhe BE të qëndrojë marrëveshjes për të mbyllur negociatat brenda 2027,se ju e dini si janë këta, ndonjëherë edhe “i luajnë” marrëveshjeve; kam ripërsëritur tezën time se politikisht anëtarësimi ynë dhe i vendeve të tjerë të Ballkanit duhet përshpejtuar dhe i kam garantuar se ne do të vazhdojmë reformat modernizuese, do të vazhdojmë përpjekjet në luftën kundër atyre problemeve që këta kanë shumë dëshirë dhe zakon t’i përmbledhin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por nuk është vetëm kaq, është shumë më tepër se kaq, shumë më komplekse se kaq dhe më vjen jashtëzakonisht mirë t’ju them që edhe një herë tjetër, pa modesti, ju kam nderuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
I dërguari i Trump komenton takimin e Ramës me Thaçin: Kryeministri shqiptar ka të drejtë

1766092822_jpg.jpeg

I dërguari i Presidentit Amerikan Donald Trump për Misione të Veçantë, Richard Grenell, ka komentuar vizitën e kryeministrit Rama në Hagë, aty ku u takua me Hashim Thaçin.

Grenell shprehet se Rama e kritikon ashpër çështjen ligjore të Jack Smith dhe se ka turpëruar europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie, duke shtuar se kryeministri shqiptar ka të drejtë dhe Smith është një turp.

“Aleati i NATO-s dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kritikon ashpër çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi në Hagë dhe i turpëron europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë”, shkruan Grenell.

Ora 20:09
Rama takoi Hashim Thaçin në Hagë, djali i ish-presidentit të Kosovës: Shembull i atdhedashurisë, dëshmoni se bashkë jemi më mirë

1766085155_aa.JPG

Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Hagës për të takuar ish-Presidentin e Kosovës dhe ish udhëheqësin e UÇK-së Hashim Thaçin që ndodhet në paraburgim prej 5 vitesh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi, ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij dhe të nënës ndaj kryeministri Rama, duke vlerësuar jo vetëm fjalët, por edhe veprimet e tij.  Endrit Thaçi i ka quajtur ato shembull të atdhedashurisë dhe përparimit.

“Faleminderit shumë Kryeministër Rama nga nana dhe unë. Fjalët por edhe veprat e juaja janë shndërruar në shembull të atdhedashurisë dhe përparimit. Ju na dëshmoni se bashkë jemi ma mirë”, u shpreh ai.

Ora 12:44
‘U rrëmbye nga zyra pa gjyq e akuzë’, takimi me Thaçin në Hagë, Rama: Komandantin e gjeta të qeshur, si një i pafajshëm me karakter të hekurt

Kryetministri Edi Rama ka përfunduar takimin e tij me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet në burgosur në Hagë i akuzuar për krime lufte.

Rama shkruan se e gjeti Thaçin në formë të mirë dhe të qëshur, si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt. Procesin gjyqësor në ngargim të tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, kryeministri e cilëson një padrejtësi ulëritëse dhe një njollë e zezë në zemër të Evropës.

“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, shkruan Rama në postimin e tij.

Ora 09:46
BE i zhbllokoi fondet Kosovës, Rama: Presidentja Osmani ka shkëlqyer! Shqipëria e vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës, dje ju kam nderuar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, pasi Bashkimi Europian mori vendimin për zhbllokimin e fondeve, u shpreh se presidentja Vjosa Osmani shkëlqeu në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria sot gëzon respekt dhe vlerësim maksimal në Bruksel.

“Kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Presidentja Osmani ka shkëlqyer dhe, me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse, ia ka dalë që të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga BE-ja.

Për Shqipërinë jemi në kushte që nuk kemi qenë ndonjëherë: të respektuar dhe të vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës në Bruksel, ku qëndrimi im ka qenë ai që dini. Qëndrimi im ka qenë troç, i drejtë dhe pa dorashka. Unë them atë që mendoj dhe bëj atë që thonë. Detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte, sepse duhet të jemi pjesë e BE-së. Në fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim. Kam përsëritur tezën time se anëtarësimi ynë dhe i Ballkanit duhet përshpejtuar. E them pa modesti që ju kam nderuar", përfundoi Rama.