Kryeministri Edi Rama ka shkuar drejt Hagës, ku do të takojë ish krerët e UÇK-së, të cilët ndodhet në paraburgim. Gjatë një komunikimi live me qytetarët në Facebook kreu i qeverisë tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët mbahen peng nga një drejtësi që siç tha ai “është turp për ata që e sponsorizojnë”.

 “Jam rrugës për në Hagë, ku do të takoj komandantin e ushtrisë çlirimtare, presidentin e Republikës së Kosovës që u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare dhe për turpin e madh të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, janë e vetmja normë që kanë karakterizuar këtë farsë, ku ende pa i dënuar një president i zgjedhur në mënyrë demokratike së bashku me 3 bashkëluftëtarë që kanë mbuluar nga detyra me të rëndësishme në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, të izoluar”, tha Rama.

Rama tha se tani pritet vendimi ndërsa ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës, parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes.

“Tani që ka mbaruar parada e dëshmitarëve qesharake, si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve mbrojtës, pritet vendimi. Uroj që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe i daljes nga izolimi brutal i Thaçit dhe 3 bashkëluftëtarëve. Uroj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulëta mbi nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi, se morën armët për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për të mbrojtur të drejtën e tyre të pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke, nën të njëjtin sjellje dhe jo si një grup social i përdhunuar për shkak të etnisë vet në një diktaturë”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se shpreson që e drejta të triumfojë në fund, një e drejtë e bekuar me gjakun e heronjve, e martirëve e dhimbjet e patregueshme të nënave, motrave, grave dhe vajzave të përdhunuar.

“Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush, lërë pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që ka lënë kokrrën e namit. Dua shumë të besoj se në fund e drejta do të fitojë dhe këtu nuk ka 2 apo 3 të drejta, këtu ka vetëm një të drejtë, që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, e martirëve, me dhimbjet e patregueshme të nënave, motrave, grave dhe vajzave të përdhunuar e gjatë një periudha ndër më të zymta në zemër të Europës", tha Rama.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:46
BE i zhbllokoi fondet Kosovës, Rama: Presidentja Osmani ka shkëlqyer! Shqipëria e vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, pasi Bashkimi Europian mori vendimin për zhbllokimin e fondeve, u shpreh se presidentja Vjosa Osmani shkëlqeu në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria sot gëzon respekt dhe vlerësim maksimal në Bruksel.

“Kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Presidentja Osmani ka shkëlqyer dhe, me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse, ia ka dalë që të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga BE-ja.

Për Shqipërinë jemi në kushte që nuk kemi qenë ndonjëherë: të respektuar dhe të vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës në Bruksel, ku qëndrimi im ka qenë ai që dini. Qëndrimi im ka qenë troç, i drejtë dhe pa dorashka. Unë them atë që mendoj dhe bëj atë që thonë. Detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte, sepse duhet të jemi pjesë e BE-së. Në fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim. Kam përsëritur tezën time se anëtarësimi ynë dhe i Ballkanit duhet përshpejtuar. E them pa modesti që ju kam nderuar", përfundoi Rama.