Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë një protestë sot te ‘Sheshi Skënderbeu’ në Shkup në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë. 

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 13:00, në sheshin “Skënderbeu”, dhe pritet të mbledhë mbështetës nga Shkupi dhe trevat përreth. Protesta ka marrë përkrahje publike edhe nga përfaqësues të rëndësishëm politikë shqiptarë në rajon.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar qytetarët që të bashkohen në protestë, duke theksuar se qëllimi i saj është kërkesa për drejtësi dhe kundërshtimi i akuzave që, sipas tij, janë të motivuara politikisht dhe të ndërtuara mbi narrativa të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia. Ai ka nënvizuar se pjesëmarrja në tubim përfaqëson një akt ndërgjegjeje kolektive për ruajtjen e së vërtetës historike dhe respektin ndaj sakrificës së luftës.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se kanë marrë edhe lejen nga shteti maqedonas për organizimin e protestës, derisa ka kërkuar që në ditën e protestës të mos jenë të pranishëm kufitarë serbë.

Ndërkohë Gazmend Syla nga OVL-UÇK  tha se pjesëmarrja e tyre paraqet rrezik serioz për arrestim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

“Ne preferojmë që luftëtarët tanë të UÇK-së mos me marrë atë rrugë, sepse nuk kemi garancë. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, tha Syla gjatë një deklarate të dhënë një ditë më parë.

Thirrja e protestës nxiti debate në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, nuk i ka dhënë mbështetje protestës, por edhe ka thënë se të njëjtën gjë pret ta bëjë edhe partneri shqiptar në qeveri, koalicioni VLEN. Organizimin e saj Mickoski e cilësoi si “lëvizje të gabuar të Ali Ahmetit”.

Më vonë Mickoski deklaroi se ka formuar një “shtab krize” që protesta, sipas tij, të kalojë në qetësi e pa incidente. OVL-UÇK deklaratën e tij e vlerësoi si përpjekje për tension të panevojshëm.

Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është e pesta . Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protesta e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasbourg.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërkaq vendimi për ta pritet të shpallet deri në mesin e korrikut.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm, ndërkaq mbrojtja e tyre ka akuzuar edhe disa gjyqtarë për anim në proces.

Lajm ne përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:16
Në prag të protestës në Shkup, Gucati për Report Tv: Është e fundit për këtë vit! Mickoski nuk e di pse frikësohet, pasi çdo tubim ka qenë i qetë

Teksa vetëm një orë na ndan nga protesta që do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Shkup, kreu i OVL Hysni Gucati tha për Report Tv se deri tani nuk kanë hasur asnjë problem në lidhje me këtë tubim.

“Kjo është protesta e fundit për këtë vit. Do të ketë një numër të madh të shqiptarëve. Deri tani çdo gjë është në rregull, nuk kemi probleme. Kemi marrë leje dhe jemi pajisur me dokumentat e nevojshme”, tha Gucati.

Në lidhje me faktin që kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, nuk i ka dhënë mbështetje protestës dhe ka ngritur një grup pune për shmangien e ndonjë incidenti, Gucati shtoi se nuk duhet të frikësohet pasi çdo protestë e zhvilluar ka qenë paqësore.

“Mickoski nuk e di pse frikësohet, pasi çdo protestë ka qenë e qetë. Jemi në kontakt me ata që do të na bashkohen nga Kosova dhe nuk kemi probleme, pasi në dogana ka edhe policë shqiptarë”, nënvizoi ai teksa shtoi se shpreson që të fitojë e drejta.

Në fund të intervistës Gucati  tha gjithashtu se në Maqedoninë e Veriut ‘kanë gjetur zemrën e madhe të shqiptarëve’.

Ora 12:00
Shkupi në pritje të protestës drejtësi për ish-krerët UÇK-së, përgatitjet e fundit në sheshin ‘Skënderbeu’ (VIDEO)

Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup po bëhen përgatitjet e fundit për protestën gjithëkombëtare në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.

Kjo është protesta e radhës, ku sërish pritet të mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat me thirrjet për drejtësi. Me mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbajtur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, ku u bë thirrje për drejtësi të ish-krerë e të UÇK-së.