Ish Gjenerali Wesley Clark hodhi poshtë pretendimet për spastrim etnik nga ana e Uçk, në dëshminë e tij që vijon këtë të martë, në Hagë, në Gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të Uçk. Pyetjet në pjesën më të madhë të kohës Ish Gjeneralit i janë drejtuar nga Prokurori Matt Halling, i cili gjithashtu ka kërkuar sqarime edhe në lidhje me etiketime të kohës që nënkuptonin se Nato e shihte Uçk si organizatë terroriste.
Më poshtë pjesë të deklaratave të Gjeneralit Clark këtë të martë në Hagë.
Etiketimi “terrorist” për UÇK
Clark u pyet nëse Nato e cilësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste. Sipas Ish Gjeneralit ai ka dënuar në atë kohë veprimet terroriste nuk ka cilësuar askënd sit ë tillë.
“Ka pasur diskutime lidhur me këtë pikë. Më kujtohet që ambasadori Robert Gelbard e kishte quajtur terroriste familjen Jashari. Por, ai u qortua për këtë dhe deklarata e tij u tërhoq dhe u korrigjua”, tha Clark.
Në një deklaratë të Clark të vitit 1998, të lexuar nga Prokurori ish Gjenerali kishte thënë: E dënojmë dhunën kundër personave që kanë shprehur orientimin e tyre politik në mënyrë jo të dhunshme, po ashtu dënojmë metodat terroriste që përdoren për të arritur synime të caktuara.
Clark saktësoi se ai ka dënuar metodat, jo grupime apo njerëz specifik.
A e refuzonte Clark bashkëpunimin/komunikimin me UÇK?
Ish Gjenerali gjatë dëshmisë ka hedhur poshtë pretendimet se ai gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk donte të komunikonte me UÇK. Ai shpjegoi kështu:
“Në fakt, i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, vlerave, etikës dhe demokracisë në atë kohë. Dua të shpjegoj se në një pikë kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë, në luftëtarë lirie, dhe në një pikë të caktuar, opinioni botëror dhe konsensusi botëror vjen në përfundim se njerëzit të drejtë t’i bëjnë ballë trysnisë së luftës dhe kjo është e shkruar edhe në deklaratën e pavarësisë së SHBA-së”
Clark: UÇK nuk ka kryer spastrim etnik, ka indikacione për të kundërtën
Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.
Clark u pyet nga Prokurori në lidhje me një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha: “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”. Pretendimet bëjnë fjalë për dëbimin e rreth 170.000 serbëve nga Kosova.
"Jam i bindur që Thaçi nuk ka kryer krime, akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë"
"UÇK nuk kishte elementet e një organizate normale. Ishin njerëz që thjesht luftonin për ekzistencën e tyre. Akuzat ndaj Thaçit nuk janë të qenësishme. E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes. Akuzat për trafik organesh I kam konsideruar dezinformim. Kam menduar se dikush kishte prova konkrete për këtë akuzë", tha Ish Gjenerali Clark.
Wesley Clark, e përfundoi dëshminë e tij në Hagë në ditën e dytë. AI ishte dëshmitari i fundit në listën e ekipit të mbrojtjes së Thaçit. Të mërkurën(19 Nëntor) Dhomat Speciale do të zhvillojnë një konferencë, ku do të shpjegojnë fazën në të cilën ndodhet procesi gjyqësor.
Organizata e Veteranëve të luftës së Uçk, shpërndau një postim falenderimi pasi Ish Gjenerali i Natos Clark përfundoi dëshminë e tij dy ditore në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë. “Fjalët e gjeneral Clark jo vetëm që konfirmuan të vërtetën tonë, por edhe nderuan sakrificën e mijëra luftëtarëve që u rreshtuan për liri”, thuhet në postimin e OVL UÇK. Postimi është shoqëruar me një foto të Clark gjatë kohës kur ai mbante ende funksionet e larta ushtarake.
Komente







