TIRANË- Katër deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati u thirrën në GJKKO si dëshmitarë në procesin ndaj ish-kryebashkiakes së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj dhe ndërtuesit Rrok Gega, të akuzuar për korrupsion. Deputetët të cilët kanë firmosur edhe kallëzimin, deklaruan në GJKKO se indicia ishte episodi i një emisioni investigativ ku ndërtuesi Gega e ka pranuar se Islamaj ka ndërhyrë që t’i ndërtonte një urë pranë shtëpisë së motrës.
Deputetja Elda Hoti u shpreh se i qëndrojnë kallëzimit që kanë bërë si grup parlamentar, ndërsa kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se verifikimet i takojnë prokurorisë, pasi kallëzimi është bërë pas denoncimit të një emisioni investigativ.
Elda Hoti: I qëndroj kallëzimit që ne kemi bërë si grup. I qëndroj kallëzimit tim që zonja ka shpërdoruar detyrën. Çdo shpjegim e kemi dhënë në kallëzim. Ne jemi deputetë të Republikës, nuk ka ndodhur kurrë që ne të thirremi si dëshmitarë. Ka një grup aty që mbledh faktet dhe ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike bëjmë kallëzime. Unë i qëndroj kallëzimit. Verifikime në terren janë bërë, nuk bëhet kallëzim pa fakte dhe prova. Unë personalisht nuk kam shkuar në Tropojë që ta shoh. Ne nuk kemi ardhur për tu tallur këtu. Sot për respekt të gjykatës jemi një grup deputetësh këtu. Nuk kam qenë në Tropojë të verifikoj është ndërtuar apo jo ura , apo se me çfarë materialesh është ndërtuar. Ndërtuesi Rrok Gega e ka pranuar vetë që Zyra Islamaj ka ndërhyrë për ndërtimin e urës për motrën e saj.
Gazmend Bardhi: Ne kemi kallëzuar për shpërdorim detyre nënkryetarin e Bashkisë Tropojë, pas informacioneve publike të bëra në një emision investigativ. Verifikimet përkatëse janë detyrë e organit të prokurorisë.
Bledion Nallbati: Referuar një emisioni është bërë një kallëzim nga grupi parlamentar i PD. Kemi parë faktet e publikuara në media dhe është bërë kallëzimi. S’kam pse të bëj verifikim për urën.
Xhelal Mziu: Duke u bazuar në emisionin “Piranjat” kemi parë të rëndësishme që dyshohej për një vepër penale “shpërdorim detyre”. Në këtë kontekst unë dhe disa kolegët e mi kemi bërë një kallëzim. Ne nuk kemi mjaftueshëm kohë të shkojmë të bëjmë verifikime në Tropojë nëse është ndërtuar apo jo ura.
SPAK e akuzon Islamajn se ka ndërhyrë te ndërtuesi Gega për të ngritur një urë mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Sipas SPAK, Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin.
Edhe ndërtuesi ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë. Ura megjithatë, nuk është ndërtuar, ndërsa hetimi nisi pas një denoncimi të PD-së mbi materiale të një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024 në televizionin e familjes Berisha.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










