TIRANE - Gjykata e Lartë vendosi në seancën e sotme të gjyqit ndaj Dritan Priftit dhe Leonard Beqiraj të pranojë kërkesën e prokurorisë për tërheqjen e akt ekspertimeve që ndodhen në dosjen hetimore ndaj dy ish zyrtarëve të lartë.

Avokatët mbrojtës të Priftit dhe Beqiraj kërkuan pushimin e çështjes për aq kohë sa video përgjimi ishte shpallur i pavlefshëm dhe prokuroria nuk kishte më prova ndaj dy ish zyrtarëve të akuzuar për korrupsion pasiv. Në seancën e sotme prokurori Bujar Sheshi i deklaroi gjykatës se duke qenë se Kolegji shpalli të papërdorshme video-regjistrimin, praktikisht s'mund të vijohet me gjykimin, sepse provat e tjera qe shërbyen për të ngritur akuzën, janë të lidhura me provën kryesore, qe është videoja.

Nën drejtimin e relatore Mirela Thana, gjykata pasi dëgjoji palët u tërhoq për vendim duke shpallur në fund të seancës vendimin se prokuroria e shtetit mund të tërheqë aktet e procedimit penal ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij Leonard Beqiraj.

Procesi ndaj Dritan Priftit dhe ish-zëvendësit të tij nisi në prill të këtij viti dhe pavarësisht se mbrojtja kërkoi që Gjykata e Lartë të shprehej për pafajësinë e tyre ose të pushonte çështjen, tashmë vendimi për t'i dhënë rrugë përfundimtare kësaj dosjeje ju la në dorë Prokurorisë së Përgjithshme.


(Redaksia Online)

(Gre.M/Shqiptarja.com)