Në ditën e dytë të dëshmisë në gjyqin për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin shprehu kritika ndaj Gjykatës Speciale për paraburgimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët mbahen në qeli që prej 2020-ës me akuzën e krimeve të luftës. Ai e cilësoi të padrejtë vendimin e Speciales për mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht dhe nga ana tjetër kanë bashkëpunuar me Prokurorinë.

“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së,  për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi.”, tha Rubin.

Rubin tha se UÇK fitoi kredibilitetin e SHBA pasi firmosi marrëveshjen e Rambujesë dhe të paqes, pasi deri atëherë e shihnin si një organizatë terroriste duke mos patur mjaftueshëm informacione për veprimtarinë dhe strukturën e saj. Në vëmendje u sollën artikujt dhe raporte të organizatave ndërkombëtare për vrasjet e pretenduara nga udhëheqësit e UÇK-së. Një ndër to ishte edhe një raport i OKB-së në vitin 1998 që fliste për rrëmbime të civilëve serbë, shqiptarë, romë e policë serbë, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së. Rubin tha se raportet e OKB i shihte me skepticizëm. 

“Kam lexuar një raport të  OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm”, tha Rubin.

Edhe në rastet e artikujve të mediave të mëdha botërore si CNN apo Nju Jork Times, Rubin tha se ka patur dyshime për vërtetësinë e informacioneve. Prokurori e pyeti James Rubin se përse refuzoi në fillim të ishte dëshmitar i prokurorisë në çështjen ndaj Thaçit e të tjerëve. Ish-zyrtari amerikan tha se kjo kishte të bënte me mënyrën se si ai e shihte aktivitetin e Gjykatës Speciale, moment kur edhe kur shpërtheu në akuza për padrejtësi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe ish krerëve të UÇK. 

Mbrojtja e Thaçit parashikohet të zgjasë për të paktën një muaj e gjysmë dhe rreth javës së dytë të nëntorit pritet të kenë përfunduar edhe dëshmitë që do të jepen nga ana e palës mbrojtëse për të katërt të akuzuarit. Aktakuza pretendon se Thaci Krasniqi Veseli dhe Selimi Aktakuzës, kryen krime nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:58
Dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në Hagë, Rama: Procesi ndaj drejtuesve të UÇK, po njollos drejtësinë ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me dëshminë e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në Hagë, i cili shprehu kritika ndaj Gjykatës Speciale për paraburgimin e ish drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se procesi që po mbahet në Hagë, është shtangës dhe ka njollosur keq drejtësisë ndërkombëtare.

“LIRIA KA EMËR

Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kujtojmë që për dy ditë me radhë, ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin ka dhënë dëshmitë e tij në procesin që po mbahet në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ora 14:01
Rubin në Hagë: Thaçi donte demokraci, fjalët që thoshte i kthente në veprime

1758024121_jamesrubin.jpg

Ish-diplomati amerikan, James Rubin është pyetur nga gjykatësi nëse i ka besuar ish-presidentit, Hashim Thaçi kur i tha se donte demokraci dhe bashkëjetesë krahas serbëve në Kosovë. Rubin tha se Thaçi thoshte atë që amerikanët donin të dëgjonin, dhe sipas tij, fjalët i kthente në veprime gjatë viteve.

“Ai donte një marrëveshje dhe donte demokraci, edhe pse fliste me një gjuhë më komuniste në atë kohë, ishte përmes përkthimit pra pak e vështirë të bëhet vlerësim i saj. Sa i takon bashkëjetesës, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë dhe e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim.  E besova këtë, të jem i sinqertë, i kam besuar gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve sepse tregoi se fjalët që thoshte i kthente në veprime, nuk kam dyshuar në të. U binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, tha ai. 

Ora 13:55
Rubin: Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK

Foto:Hashim Thaçi

Ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, James Rubin, ka folur për diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së.

Ai ka thënë se nuk kanë mundur t'iu thoshin luftëtarëve që "nuk ju japim armë, sepse ju nuk jeni të organizuar".

"Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së. Dhe, ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv.

Bëmë gjykimin tonë më të mirë, kemi bërë një vlerësim, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe komandës, që ne besonim që UÇK-ja nuk e kishte. Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, theksoi ai.

Ora 12:51
James Rubin para trupit gjykues në Hagë: Kjo nuk është drejtësi

1758019945_jamesrubin.jpg

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan i shtetit, James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, shprehu kritika për trajtimin e të akuzuarve, Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po mbahen në paraburgim. Para trupit gjykues, Rubin tha se kjo nuk është drejtësi. 

“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.

Ora 12:24
Hagë/ Rubin kritika ndaj Speciales: Nuk e kuptoj pse ish-krerët e UÇK kanë qëndruar 5 vite në burg kur kanë bashkëpunuar

Foto: James Rubin

James Rubin tregoi arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.

Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson", tha ai.

Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së", tha ai.

Ora 10:23
Rubin: SHBA-ja mendonte se UÇK-ja ishte organizatë terroriste

1758011110_jamesrubin.JPG

Foto: James Rubin

Gjatë dëshmisë së tij, James Rubin tha se përshtypja fillestare e SHBA-së për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte më ndryshe.

“Ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjujve gjithmonë. Ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitete terroriste, dhe ne, sigurisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste", tha Rubin.

"Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-së u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë", u shpreh ai.

Rubin përsëriti përgjigjen e djeshme se ka pasur shumë pretendime e akuza, për krime lufte nga pjesëtarë të UÇK-së, por se SHBA-ja nuk arriti t’i vërtetonte ato.