Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka nisur sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku palët mbrojtëse do të paraqesin dëshmitarët e tyre. I pari që po dëshmon është James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës.
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Misetic e mori në pyetje Rubin për rreth tre orë. Ai foli gjerësisht për të që nga pozicioni i tij në Rambuje por edhe në momente të tjera të rëndësishme gjatë negociatave. Sipas ish-zyrtarit amerikan, Thaçi kishte një pozicion komunikues me ndërkombëtarët gjatë negociatave për paqen.
"Ka qenë një situatë mjaft e tensionuar. Ne kuptuam se vendimet merreshin nga komandantët ndërsa ai ishte më shumë si një ministër i Jashtëm që kishte për detyrë të komunikonte me ne. ", tha Rubin.
Gjatë procesit të çmilitarizimit të UÇK, SHBA-të kërkonin me ngulm respektimin e tolerancës dhe demokracisë. Ndryshimi i një termi në marrëveshjen e NATO-s me UÇK për këtë proces nxorri në pah aftësitë vendimarrëse të Thaçit, i cili siç thotë ish zyrtari, mori një vendim të vogël që solli ruajtjen e jetëve të shumë shqiptarëve të Kosovës.
"Ishte një term dhe ndryshim. NATO kishte një marrëveshje me UÇK si psh atë demilitarizimin. Thaçi u bind se ndryshimi i termit ishte një fjalë mjaft e vogël por një veprim Ii madh. Unë e binda atë se nëse do ta bënte këtë ai do të merrte një telefonatë nga Presidentii i SHBA dhe ai e bëri sepse u bind që ishte një ndryshim i vogël por që solli rrugën drejt fundit të luftës.", tha Rubin.
Rubin ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright dhe i konsideruar si krahu i djathtë i saj. Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e UÇK-së. Aktualisht, Rubin shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit.
Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që prej 2020-ës, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.
Mbrojtja e Komandantëve të UÇK do të vijojë sërish me ish Ndihmës sekretarin James Rubin, i cili do të dëshmojë edhe në ditët në vijim. Prokurorët kanë hasur vështirësi në gjetjen e provave për akuzat e ngritura deri më tani dhe afati për këtë është drejt fundit. Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit pritet të përfundojë në dy javëshin e parë të Nëntorit ndërsa mbrojtja e Veselit dhe Selimi kanë deklaruar se nuk do të thërrasin dëshmitarë.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin deklaroi se shqiptarët vriteshin nga serbët vetëm për shkak të etnisë së tyre. Ai tha se qëllimi i politikës së SHBA në atë kohë ishte që të parandalonin përsëritjen dhe krizën e Bosnjës. Kështu u shpreh ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, teksa theksoi se “donim të ishim në anën e viktimave”.
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon e pyeti dëshmitarin, James Rubin lidhur me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
“Na shqetësonin shumë raportet që merrnim, familje që vriteshin, që u digjeshin shtëpitë, dhe vriteshin thjesht sepse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo filloi të ngjasonte me krizën e Bosnjës, ku u vranë njerëz e u masakruan thjeshtë për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka që kishin bërë dhe filluam të shihnim që po shfaqej e njëjta politikë, e njëjta gjë, dhe kjo na bëri të vepronim, ata ishin viktima, jo vetëm se ishin të shtypur me dhjetra vite, por po masakroheshin nga forcat ushtarake serbe, dhe ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë, ky ishte qëllimi i politikës sonë – të parandalonim të përsëritej e njëjta gjë”, u shpreh ai.
Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Rubin tha se qëllim kishin mbrojtjen e civilëve të pafajshëm.
“Pas Bosnjës ku menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante, të mos ishte kaotike, ne ishim krenarë për këtë që bëmë, dhe pamë situatë të re në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim të ishim në anën e engjëjve themi ne, në anën të mirëve, nuk nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste islamiste. Në këtë kohë Amerika ishte superfuqi, donim të ishim në anën e viktimave …Ne nuk donim të bënim operacione ushtarake apo të harxhonim me miliarda dollarë për persona apo organizata që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht. Këta janë persona pa pushtet, këta ishin viktima, ne takoheshim me ta, ndërkohë ata ishin viktimat e një shtypësi. Ishin persona që ishin në anën e kundërt të pushtet në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim që të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit”, shtoi ai gjatë dëshmisë në Hagë.
Paraprakisht James Rubin është intervistuar nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç. Dëshmia e tij ka nisur sot në mëngjes dhe kjo është e para e mbrojtjes.
Gjatë pyetjeve të Misetiç, Rubin u pyet nëse i kujtohet që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
“A ju kujtohet se më pas atë ditë ajo u takua me zotëri Thaçi?
Rubin: Po.
Misetiç: Ju keni qenë i pranishëm në takimet me zotëri Thaçi.
Rubin: Absolutisht po.
Misetiç: A ju kujtohet gjatë këtij udhëtimi që sekretarja e shtetit t’i ketë thënë Hashim Thaçit se ai do të mbante përgjegjësi penale për krimet që do të kryheshin në Kosovë pas hyrjes së KFOR-it?
Rubin: Absolutisht jo.
Misetiç: A i tha ajo atij që ai do t’i hetonte dhe të ndiqte penalisht krimet që po kryheshin.
Rubin: Nuk më kujtohet, mund të ju them nëse më kujtohet mua, ajo mund të donte të ja jipte këtë mesazh, do të donte thoshte që do të ketë tolerancë, ju lutem të ketë parasysh të jeni tolerantë dhe jo në formën siç e thatë ju.
Në dëshminë e tij, Rubin tha se Albright në atë takim i kishte kërkuar Thaçit që të tregonte tolerancë dhe që populli të ishte tolerant.
Dëshmia e James Rubin është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.
Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”./ KosovaPress
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka treguar se kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë në qershor të vitit 1999, ku çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin.
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ish-sekretarja e Shtetit, Madeliene Albright, i kishte thënë që të shkonte në Kosovë.
James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është dëshmitar i parë i mbrojtjes.
Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Diplomati amerikan, James Rubin tha se ishte kthyer në Kosovë në qershor të vitit 1999, për të marrë pjesë në “negociatat që kishin të bëjnë me de-militarizimin e UÇK-së”.
Para trupit gjykues, ai tha se ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë, duke i thënë që “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën”.
“Unë isha zëdhënësi i zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha ‘ndalo së bëri çdogjë që t’i po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, duhet të shkosh atje në mënyrë të tillë që të ndihmoni Mike Jackson që të realizojë betimet e veta dhe po ashtu sigurohu që Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen. Kjo është arsyeja pse shkova në rajon”, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tregoi se gjatë asaj periudhe kishte qëndruar në një hotel në Shkup dhe se çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin.
“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase tri ose katër ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, kam qëndruar në një hotel në Shkup, në Maqedoni dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së. Pra, çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty".
Para trupit gjykues, Rubin tha se Thaçi ishte i ri në moshë krahasuar me komandantët tjerë, teksa shtoi se “ishte e qartë për mua që Thaçi nuk kishte aftësinë dhe kompetencë që të merrte vendime për UÇK-në”.
Dëshmitari i parë i mbrojtjes, dëshmia e të cilit ka nisur sot tha se ishte takuar edhe me Agim Çekun për të festuar transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për dëshminë e tij janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.
Gjatë dëshmisë së tij gjatë ditës së sotme, James Rubin ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.
Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin po vazhdon dëshminë e tij në gjyqin që po mbahet Hagë edhe për pjesëtarët e tjerë të UÇK-së. Ai tha se nuk kanë gjetur asnjë provë se katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e as drejtues të tjerë të ushtrisë, donin të ekzekutonin apo të vrisnin njerëz.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime të tilla dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi. Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me ketë pretendim dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë James Rubin tha se marrëdhëniet e Thaçit me Shtetet e Bashkuara ishin të veçanta dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për të.
Ai theksoi se që nga takimi i parë, kishte krijuar përshtypjen se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.
“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, tha Rubin gjatë dëshmisë së tij.
Ai nënvizoi se, në asnjë moment, nuk kishte vërejtur te Thaçi ndonjë sjellje apo qasje që do të rrezikonte këtë mbështetje.
“Jo, Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, shtoi Rubin.
Elisa Spiropali, e cila është propozuar për ministre të Jashtme, ka reaguar për gjyqin që ka nisur në Hagë, ku po dëshmon pala mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte. Spiropali shprehet se “drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.” Sipas saj, çdo ekuivalencë mes akuzave të fajësisë dhe lirisë do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.
Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi.”, shkruan Spiropali.
Postimi i Spiropalit
Ish-zyrtari i Shtetit Amerikan, James Rubin ka rrëfyer një rast kur Hashim Thaçi ka refuzuar nënshkrimin e një marrëveshje në emër të Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës (UÇK) në Konferencën e Rambujesë.
Sekretarja e Shtetit Amerikan në atë kohë, Madeline Albright i tha Thaçit se “një drejtues duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre, nuk do të kishte mbështetje na Perëndimi”.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, tha Rubin teksa theksoi se Hashim Thaçi ishte nën presion të vazhdueshëm nga komandantët e ushtrisë si dhe nga financuesit europianë.
Ish-presidenti i Kosovës refuzoi të firmoste marrëveshjen pasi në të nuk ishte e specifikuar pavarësia e territoreve të Kosovës dhe se ndryshe do të konsiderohej tradhti.
James Rubin n deklaratë theksoi se roli i Konferencës së Rambujesë ishte gjetja e një kompromisi për luftën, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës. Por, për Kosovën kjo do të ishte një tradhti e kryer nga ana e Hashim Thaçit nëse do të binte dakord
"Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër. Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar", tha Rubin.
Ndër të tjera, ish-zyrtari amerikan tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të përcaktuar rregulla apo për të marrë vendime në UÇK pa miratimin e komandantëve ushtarakë.
“Unë jam takuar me komandantët, dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin, ata i thanë atij çfarë të bënte, pra nuk i thoshte Hashimi çfarë të bënin por komandantët i thoshin Hashimit se çfarë të bënte”, deklroi Rubin.
Për James Rubin këta persona konsideroheshin “ekstremistë” pasi kërkon nga Thaçi veprime të menjëhershme forma e të menduarit e këtij të fundit ishte më pragmatike.
“Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin”, tha Rubin.
Ish-zyrtari amerikan James Rubin në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë së tij nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka treguar për ndërveprimet me këtë të fundit përgjatë viteve 1999.
I angazhuar nga sekretarja e kohës së shtetit amerikan, Madeline Albright, Rubin kishte si detyrë mbështetjen e delegacionit shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë si dhe ishte i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.
James Rubin theksoi se autoriteti i Thaçit ishte i kufizuar dhe se nuk mund te firmoste marrëveshje me palë të tjera pa miratimin e krahut ushtarak si dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.
Në deklaratën e tij thuhet se Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën e madhe për të Kosovë demokratike dhe të çliruar nga dhuna.
Sakaq, Rubin ka treguar dhe takimin e fundit me Hashim Thaçin, i cili ka ndodhur në vitin 2019. Ish-zyrtari amerikan tregoi se në atë kohë ai kishte një kontratë me qeverinë e Kosovës ër të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.
“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin.
Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper deklaroi se do të kenë mundësi për të zbuluar të vërtetën rreth ngjarjeve gjatë vitit 1999. Ai i bëri këto komente para fillimit të dëshmisë së parë të mbrojtjes nga James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan, i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziastë për sot, sepse do të na jepet mundësia që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që ta riekzaminojmë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregojnë që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, tha mes tjerash Prosper.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi pak minuta pas orës 09:00 dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte. Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tre ditë.
Komente








James Rubin ngjan si dy pika uji me aktorin Peter Finch,gjithashtu eshte dhe bashkeshorti i gazetares se njohur Christiane Amanpour.
PërgjigjuGjykatë e pa aftë dhe kriminale nuk meren me krimet e Serbisë por meren me ata që luftuan për liri. Kjo gjykatë gjithmon ka qenë e pa aftë mbajtën kriminelin Millosheviç deri sa vdiq dhe nuk ishin të aftë ta dënonin sepse është mbushur me tuaf të mbaruar...
Përgjigju