‘Do të djegim ty dhe familjen’ kërcënohet gjyqtari në Korçë, shkak vendimi për pronat (Detaje)

KORÇË- Kërcënohet me jetë gjyqtari Besnik Shehu. Ai ka denoncuar mesditën e sotme në polici dy persona, që sipas tij e kanë kërcënuar me jetë atë dhe familjen. Burime për Report Tv pohojnë se dy personat që kanë kërcënuar gjyqtarin kanë qenë në proces gjyqësor për pronat.

Mësohet se ata janë Emin Myrtollari dhe Muhamet Hoxha, ndërsa mëngjesin e sotëm pranë pazarit në Korçë e kanë kërcënuar duke i thënë se do ta djegin atë dhe familjen e tij për shkak të vendimit që ka dhënë kundër tyre. “Do të vrasim. Do të djegim ty dhe familjen tënde. Ke bërë gabim me vendimin që ke dhënë. Pronat tona nuk na i merrni dot. Do pendohesh” .

Këto janë fjalët që kanë thënë dy personat duke kërcënuar Shehun. Gjyqtari ka bërë denoncim në komisariatin e Korçës rreth orës 15:00, ndërsa policia ka nisur hetimet për ngjarjen duke shoqëruar fillimisht dy personat, më pas i ka lënë të lirë.

Gjyqtari Besnik Shehu

Por për çfarë çështje u kërcënua gjyqtari? REPORT TV mëson se bëhet fjalë për një tokë në fshatin Porodinë, e cila pretendohet nga dy familje Myrtollarët dhe Qeraxhit. Albert Qeraxhi kërkoi anulim të vendimit të komisionit për shkak se pronat, sipas tij ishin zënë nga Myrtollarët, ndërkohë që edhe Prefektura kërkoi që aktet e marrjes së pronësisë nga Myrtollarët të shpalleshin të pavlefshme.

Në shkallën e parë në Korçë, gjyqtari Besnik Shehu pranoi kërkesën e Prefekturës dhe Albert Qeraxhit, ndërsa edhe Apeli e la në fuqi vendimin, ndërsa aktualisht çështja ndodhet në gjykatën e Lartë. Por Emin Myrtollari nuk i kishte harruar inatet e vjetra me gjyqtarin e Shkallës së Parë që e kërcënoi me jetë ditën e sotme. Ndërkohë që hetimet vijojnë në gjendje të lirë për dy autorët.

NJOFTIMI I POLICISE KORÇË
Më datë 08.09.2018 në Komisariatin e Policisë Korçë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi B.Sh, 54 vjeç, banues në Korçë, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, i cili ka deklaruar se për shkak të detyrës, për një çështje pronash që ka shqyrtuar në vitin 2016, është kanosur me fjalë në qytetin e Korçës, nga shtetasit M.H, 66 vjeç, banues në Korçë dhe E.M, 65 vjeç, banues në Porodinë-Korçë.

Shtetasit e mësipërm janë shoqëruar në Komisariat, ku janë kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe në konsultim me Prokuroren e çështjes u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës" parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë