TIRANË- Deputeti demokrat Gazment Bardhi është shpallur i pafajshëm nga GJKKO pasi u kallëzua nga ish-kryepolici i Shkodrës për shpifje. Padia erdhi pasi Bardhi akuzoi në Kuvend ish-kryepolicin e Shkodrës, Edmond Sulaj se ishte emëruar në detyrë nga eksponentë të krimit.

Ndonëse, Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të Bardhit, gjyqtarja Flojera Davidhi vendosi deklarimin e pafajshëm si edhe pushimin e çështjes. Avokati i Bardhit, Marash Logu në një prononcim për mediat tha se pas padive fshihet Belinda Balluku dhe Edi Rama.

“Dumani thonte këto biseda ekzistojnë, prokurori kërkoi të deklarohet fajtor. Por fatmirësisht gjykata iu referua ligjit dhe provave dhe vendosi të deklarojë të pafajshëm Bardhin, duke provuar se as nuk shpif dhe as nuk fyen por ju referohet vetëm fakteve. Kam një apel për Ramën me porosi të Bardhit, siç e kam bërë për Ballukun. Balluku fshihet dhe keqpërdor vartësit e OSHEE dhe KESH për të mos u përballur me akuzat dhe vjedhjen.

Padia që ka depozituar KESH është njësoj si OSHEE. Gjykata ka njoftuar që jemi duke hetuar mbi bazën e kallëzimit që Bardhi ka bërë mbi KESH dhe OSHEE ata vazhdojnë të insistojnë mbi të njëjtat [pretendime. Presin të kenë të njëjtin fat, jo vetëm ajo, të gjitha paditë që bëhen ndaj Bardhit, këtë e them edhe si këshilltar ligjor, do kenë të njëjtin fat. As nuk shpifim, as nuk gënjejmë por i referohemi fakteve  e dokumenteve zyrtare. E ftojmë që në betejën e radhës të mos vijë, Sulaj, KESH e OSHEE, po Rama dhe Balluku. Se ata janë përgjegjësit e vërtetë”, tha avokati Marash Logu.

Në seancën parlamentare të 12 shtatorit 2024, Gazment Bardhi lexoi disa përgjime në SkyECC, kur pretendoi se Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj, të arrestuar për dosjen Metamorfoza, flisnin për emërimin e “Mondit”, i cili sipas tij u duhej një dimër aty. Sipas Bardhit, flisnin për Edmond Sulajn, i cili u emërua 1 muaj më vonë në detyrë. Por në fakt biseda i përkiste vitit 2021, ndërsa Sulaj u emërua si kryepolic I Shkodrës në tetor 2023, 2 vite pasi SkyECC nuk ekzistonte më.

“Kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër. Është përfaqësuesi i një prej bandave më të rrezikshme në vend”, kështu deklaroi Gazment Bardhi më 12 shtator 2024.

Për këto deklarata të rënda, mbrojtja ligjore e Edmond Sulës kërkoi dënim ndaj Gazment Bardhit pasi me shpifje ka njollosur karrierën 28-vjeçare të një efektivi policie, por i kanë sjellë edhe pasoja familjare. Por, GJKKO e shpalli të pafajshëm.