Ngjarjet e fundit me natyrë kriminale në vend kanë iniciuar ndryshime të reja në kupolën e Policisë së Shtetit. Me firmën e kryepolicit Gledis Nano, tashmë Departamenti i Policisë Kriminale ka një drejtues të ri, Neritan Nallbatin, i cili vjen nga Durrësi, ndërsa Tonin Vacaj kalon nr. 2 i Policisë së Shtetit.
Në harkun kohor të vetëm pesë ditëve vendi u trondit nga dy atentate të dhunshme, në të cilët katër persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos. Ekzekutimet mafioze në mbikalimin e Fushë Krujës dhe në Milot tronditën opinionin publik, ndërsa Policinë e Shtetit e detyruan të kryej lëvizje para afatit të parashikuar në shtator.
Tonin Vocaj, i rikthyer me një post drejtues në Policinë e Shtetit nga ish-ministri Sandër Lleshaj, mori drejtimin e Policisë Kriminale pas disa viteve pune në Akademinë e Sigurisë. Që prej fillimit, departamenti që drejtoi për tre vite e gjysmë ishte në fokus të goditjeve politike, edhe për shkak të ngjarjeve të rënda të regjistruara, një pjesë e të cilave kanë ngelur të pazbardhura. Vocaj kalon tashmë zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, për Rendin dhe Sigurinë Publike, duke spostuar në këtë mënyrë Albert Dervishajn, i cili kalon në Akademi të Sigurisë.
Neritan Nallbati merr detyrën e vështirë të drejtorit të Policisë Kriminale, në një moment ku opinioni publik zien nga ngjarjet e fundit. Nallbati emërohet në kushtet kur duket se ka një rindezje të konflikteve kriminale në disa zona. Ai prej disa muajsh ishte në krye të Policisë së Durrësit, ndërsa më herët në krye të Policisë së Beratit. Burime të Report Tv bëjnë me dije se dy janë emrat që po diskutohen për drejtues të ri në Durrës.
Më herët, kryepolici Gledis Nano largoi nga detyra drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, i cili u emërua në Akademinë e Sigurisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:35
Emërimi i drejtorit të ri të policisë kriminale, Rithemelimi i Berishës: Nallbati, skandali i radhës i Ramës

 

Klevis Balliu i ‘Rithemelimit’ të Berishës ka deklaruar sot se emërimi i Neritan Nallbatit në postin e drejtorit të Policisë Kriminale është skandali i radhës i qeverisë Rama. Sipas tij Nallbati njihet si mbështetës i pandërprerë  i aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarve të botës së krimit në Polici, prej se drejtonte Policinë e Durrësit,” tha Balliu

“Neritan Nallbati emërohet drejtor i Policisë Kriminale, në institucionin me demek të reformuar të Gledis Nanos, edhe pse ai u largua në vitin 2003 si bashkëpunëtor i Hakmarrjes për Drejtësi. Nallbati është famëkeq sidomos si protektor i “Rrugëve të kokainës”, gjatë kohës si drejtor i Policisë së qarkut Elbasan. Aktiviteti i tij në mbështetje të narkotrafikut ndërkombëtar kulmoi me rastin “Xibraka”.  Sipas raporteve mediatike dhe konfidenciale, Neritan Nallbati e ka vazhduar pa ndërprerje rolin e mbështetësit të aktiviteteve të paligjshme dhe të infiltruarit të botës së krimit në Polici, edhe në kohën kur drejtonte Policinë e Durrësit.

Që prej tetorit 2021 në portin më të madh në vend ka pasur një rritje eksponenciale të trafikut të drogës. Emërimi i tij në krye të policisë kriminale është rasti i përsëritur i promovimit të korrupsionit në hierarkinë e lartë të Policisë së shtetit. Është tregues se nuk është gara dhe ndershmëria që të ndihmon të bësh karrierë, por përfshirja në afera dhe korruptimi thelbësor.

Partia Demokratike dënon vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili paraqitet në Tiranë si i preferuari i FBI-së amerikane. Një si Neritan Nallbati nuk do të pranohej as roje në oborrin e FBI, dhe jo më hierarki i lartë. Absurde është që një të dyshuar dhe të shkarkuar për lidhje me krimin të emërosh në krye të luftës kundër krimit. Ne dënojmë edhe kriminalizimin e uniformave blu, dhe në të njëjtën kohë theksojmë se trupa e policisë nuk është e korruptuar. Në të ka profesionistë të përkushtuar dhe atdhedashës të ndershëm. Shefat e tyre, nën shembullin më të mirë të shefave politikë në parti, e kanë kthyer armën e policisë në një paradhomë partiake, ku u merret nderi edhe atyre edhe Shqipërisë. Me policë si Neritan Nallbati në krye të punëve, Policia dhe Shqipëria janë në rrezik”, tha Balliu.