Shqipëria dhe Britania e Madhe do të bashkëpunojnë jo vetëm në shkëmbimin e informacionit, por edhe në organizimin e operacioneve të përbashkëta policore për goditjen e individëve apo grupeve të krimit të organizuar në fushën e luftës kundër drogës, kontrabandimit të personave apo edhe në drejtim të pastrimit të parave, identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal. Kjo gjë u theksua gjatë takimit që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano zhvilloi me Tom Dowdall CBE, zëvendësdrejtor i Departamentit Ndërkombëtar, Komanda e Inteligjencës, Agjencia Kombëtare kundër Krimit - NCA Britanike dhe delegacionin që e shoqëronte.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori britanik, Alastair King-Smith, drejtues të tjerë rajonalë të NCA-së dhe Oficeri Ndërlidhës i NCA-së në Tiranë.
Gjithashtu, Nano theksoi se do të ishte me shumë vlerë që në kuadër të këtij bashkëpunimi, të ngriheshin Njësi të Përbashkëta Hetimore, sikurse janë ngritur edhe me shumë vende të BE-së, pasi do të ishin rezultative në goditjen e aktivitetit të grupeve kriminale. Gjatë takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për shkëmbimin intensiv të informacionit mes dy vendeve, në këtë drejtim.
Gjatë takimit, u vlerësua bashkëpunimin e deritanishëm me NCA-në, por dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese britanike, si edhe shprehu falënderimet për mbështetjen e dhënë ndër vite, për strukturat e Policisë së Shtetit, nga NCA-ja, Forcat Kufitare Britanike dhe Qeveria Britanike, si në aspektin e forcimit të kapaciteteve logjistike, ashtu edhe përmes trajnimeve të vazhdueshme apo shkëmbimit të eksperiencave.
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ta çuar në një tjetër nivel bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve, duke theksuar se është bashkëpunim konkret, gjë që konstatohet edhe nga iniciativat e ndërmarra dhe ato të propozuara gjatë këtij takimi, të cilat janë edhe një kontribut i çmuar në forcimin e besimit mes palëve.
Tom Dowdall CBE, zëvendësdrejtor i Departamentit Ndërkombëtar NCA, duke shprehur vlerësimet nga ana e tij, për angazhimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe propozimet e bëra gjatë takimit, theksoi se kjo dëshmon seriozitetin e Policisë shqiptare në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për një luftë efikase kundër krimit të organizuar.
Në përfundim të takimit, palët konfirmuan edhe një herë rëndësinë e forcimit dhe kalimit në një tjetër nivel të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore respektive, në luftën kundër krimit të organizuar, në interes të forcimit të sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve.