TIRANË -  Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportin përfundimtar të këtij misioni mbi vëzhgimin e zgjedhjeve, do të shërbejnë për Shqipërinë në identifikimin e sfidave që i mbeten politikës dhe institucioneve zgjedhore. Këtë qëndrim shprehu ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati i cili mori në dorë raportin nga kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it Audrey Glover.
 
Gjatë takimit, vlerësuan arritjet e shënuara si dhe theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në funksion të përmirësimit dhe forcimit të demokracisë në vend.
 
Ministri Bushati e vlerësoi raportin si të balancuar, që fotografon arritjet dhe identifikon sfidat që mbeten për t’u adresuar nga aktorët politikë dhe institucionet e administratës zgjedhore. Në emër të qeverisë shqiptare, ai shprehu angazhimin për të adresuar rekomandimet, me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri mbështetur në praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it.
 
Znj. Glover vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbarëvajtjen e gjithë misionit vëzhgues nën drejtimin e saj, si dhe shprehu angazhimin e ODIHR-it për të vijuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)