TIRANË- Një tjetër aksion kundër “call center-ave” është zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme në Tiranë. Janë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme në kryeqytet, përfshi edhe një pranë gjimnazit “Sami Frashëri”. 

Kontrollet biznese dhe banesa janë të miratuara me vendim gjykate. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë disa të shoqëruar, mes të cilëve edhe një oficer i policisë së komisariatit nr 1 në Tiranë, i cili po merret në pyetje. Operacioni kryesisht po zhvillohet nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, gjë që tregon se fokusi kryesisht është te zbulimi i uniformave blu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. 

Në call center-a janë gjetur punonjës, por jo pronarë të cilët po kërkohen për t’u marrë në pyetje. 

Burime nga SPAK bëjnë me dije se bëhet fjalë aktualisht vetëm për kontrolle dhe jo masa sigurie, janë disa të shoqëruar dhe të marrë në pyetje dhe pritet të dilet në konkluzione nëse do të ketë arrestime.

Operacioni i SPAK vjen pak ditë pasi Policia e Shtetit goditi një tjetër rrjet mashtrimi përmes Call Centerave, që u zhvatën evropianëve 50 mln euro. 10 persona ranë në pranga, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

Vetë SPAK, në muajin janar, çoi në pranga 8 anëtarë të një grupi kriminal të mashtrimit me Call Center, të cilët aktivitetin e ushtronin në dy kulla luksoze në Tiranë.