Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit kanabis dhe kokainë. Në pranga kanë rënë katër persona, ndërsa është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.
Në kuadër të operacionit ‘Vespa’ janë arrestuar në flagrancë shtetasit Marjan Koliqi 48 vjeç, Arben Cafi, 49 vjeç, Urim Hysa, 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
“Si rezultat i hetimeve proaktive, të kryer në kuadër të një procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës”-thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit të policisë, 48 vjeçari Marjan Koliqi kishte rolin e organizatorit dhe kreut të këtij grupi kriminal që vepronte në qytetin e Shkodrës.