Një grup kriminal që trafikonte armë zjarri dhe merrej me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike është goditur në Fier nga Policia Vendore në bashkëpunim me Prokurorinë në kuadër të operacionit “Procedimi”. 

Në pranga kanë rënë 4 persona, me precedentë penalë dhe rrezikshmëri shoqërore, Boran Buzi, Niko Osma, Qamil Shurdhi dhe Besim Buzi. Të arrestuarit janë Boran Buzi 48-vjeç, Qamil Shurdhi 48-vjeç, të cilët vepronin si organizatorët e grupit, ndërsa Niko Osma 53-vjeç dhe Besim Buzi 33-vjeç, siguronin armët dhe klientët. Ndërkohë një tjetër 51-vjeçar u procedua në gjendje të lirë. 

Në banesën e Niko Osman në Durrës, u gjet edhe një pistoletë, të cilën tentoi ta hidhte nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së policisë. Në kuadër të operacionit u sekuestruan 6 armë zjarri e gjahu, 4 mijë fidanë kanabisi, 5 mijë fara kanabisi, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, radio dhe uniforma policia.
Nga hetimet rezultoi se këta persona kryenin trafikun e armëve dhe municioneve si dhe mbanin armë zjarri për qëllime kriminale. Aktivitetin e kryenin në disa qytete si Fier, Lushnje, Durrës, Shkodër dhe Kukës. Në disa raste, armët i siguronin edhe nga Kosova dhe i fusnin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në pikën kufitare të  Morinës.  

Nga hetimet, u zbulua gjithashtu se grupi merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit. Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në 8 banesa, dy ambiente të dyshuara për magazinimin e armëve dhe municionit luftarak si dhe në tre automjete.

Procedimi u iniciua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier dhe u ndoq në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit. 

Të arrestuarit
Boran Buzi, 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;   
Niko Osma, 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;
Qamil Shurdhi, 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
Besim Buzi, 33 vjeç, banues në Divjakë. 

 

U sekuestruan
4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjella dhe 2000 të kultivuar në kubikë);
3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 
5000 fara kanabisi;
2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke;
3 automjete dhe 10 celularë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:54
Armë, municion, maska dhe drogë mes ullinjve! Dalin pamjet nga operacioni që çoi në goditjen e grupit kriminal në Fier

 

Dalin pamjet e operacionit të koduar “Procedimi” që çoi në goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafik armësh dhe kultivim droge në Fier.

Në pranga u vunë 4 persona, dy prej të cilëve vepronin si organizatorë, ndërsa dy të tjerët siguronin armët e zjarrit dhe klientët. U ushtruan kontrolle në banesa dhe magazinea, ndërsa u sekuestruan 6 armë zjarri, municion luftarak, bimë dhe fidanë kanabisi, maskë plastike dhe uniforma policie.

Në pamje shihet edhe kanabisi i mbjellë mes ullinjve për të ‘humbur’ gjurmët.

 

Xh.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?