Mesditën e së dielës (20 shtator) është goditur një tjetër rast i trafikës së drogës Spanjë-Greqi, ndërkohë që në pranga kanë rënë dy persona, një prej tyre shqiptar.

Operacioni u zhvillua në zonën e Maratonës në Athinë ku u sekuestruan 122 kg dhe 590 gramë marijuanë në dy furgone me drejtues një 63 vjeçar dhe një 29-vjeçar shqiptar.

Personat janë arrestuar në kohën, që droga po kalohej nga furgoni i 63-vjeçarit tek ai i shqiptarit 29-vjeçar.

Drogën e kishte sjellë 63-vjeçari nga Spanja, përmes portit të Igumenicës, të fshehur mes ngarkesave me biskota dhe patatina.

Mësohet se lënda narkotike kishte një vlerë që në treg shkon në 700 mijë euro.