Njeriu që sulmoi me çekiç bashkëshortin e Nancy Pelosi, ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, në vitin 2022, u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Kaliforni.
Ky dënim i ri, i cili i shtohet dënimit prej 30 vitesh të vendosur nga një gjykatë federale në maj, përfundon gjykimin në Golden State, ku dhe ndodhi krimi 2 vite më parë.
Më 28 tetor 2022, David De Pape, një marangoz kanadez dhe i cili njihej edhe për teoritë e tij konspirative, hyri në shtëpinë e çiftit Pelosi në San Francisko, duke goditur me çekiç në kokë dhe jo vetëm, Paul Pelosin, i cili atëherë ishte 82 vjeç.
Pas sulmit, Pelosi iu nënshtrua një operacioni në kafkë në Spitalin e Përgjithshëm Zuckerberg në San Francisko. Ai gjithashtu u trajtua për lëndime të rënda në duar dhe krahun e djathtë, duke dalë nga spitali më 3 nëntor.