DURRËS –Një grua 70-vjeçe nga Durrësi po lufton për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, teksa u rrah barbarisht nga bashkëshorti një ditë më parë në banesë. Ngjarja u regjstrua të premten në orën 11:00, në lagjen nr. 17 të Durrësit, ku 76-vjeçari A tentoi të vriste bashkëshorten e tij. Policia e Durrësit njoftoi sot (e shtunë) arrestimin e tij në flagrancë, pasi mblodhi prova që dëshmojnë dhunën. 

Pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në pallatin ku banon çifti tregojnë momentin kur i moshuari ndjek nga pas gruan nëpër shkallë dhe e godet me shkop druri. Këto pamje janë sekuestruar nga policia dhe po shërbejnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Banorët e pallatit në kushte anonimati thanë se kanë dëgjuar zhurma dhe britma dhe kur dolën në shkallë, gjetën 70-vjecaren të rrëzuar dhe të gjakosur. Ata njoftuan menjëherë ambulancën dhe policinë. Fillimisht e moshuara u transportua në spitalin e Durrësit, ndërsa për shkak të plagëve të rënda u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Stafi mjekësor ka njoftuar policinë pasi plagët që 70-vjecarja kishte në kokë, ngritën dyshime se nuk ishin shkaktuar nga një rënie e rastësishme. Pas mbërritjes së efektivëve, policia arrestoi në banesë 76-vjeçarin, i cili e ka goditur disa here me shkop në kokë.

Gjatë marrjes në pyetje, Ali Roshi ka pranuar autorësinë, duke thënë se është nervozuar pasi gruaja e ka fyer gjatë debatit për ccështje familjare. Hetuesit bëjnë me dije se çifti nuk rezulton të ketë pasur raste të tjera dhune.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit për një rast dhune në familje në lagjen nr. 17, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës me pasoja të rënda për jetën. Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 76 vjeç, autorin e dyshuar të ngjarjes.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me send të fortë (shkop druri) në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën. Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore", njoftoi Policia. 

Në të kundërt, disa fqinj, jashtë kamerave, pohuan se Aliu kishte vite që konsumonte alkool dhe ishte herë pas here problematik me bashkëshorten. Ata thonë se kishin dëgjuar zhurma edhe më herët, por nuk kishin imagjinuar se situata mund të degradojë në dhunë. Brenda banesës është sekuestruar edhe mjeti i përdorur në sulm, një shkop druri, ndërsa policia ka marrë në administrim pamjet e kamerave të sigurisë.Ndaj Ali Roshit rëndon akuza e “plagosjes së rëndë me dashje”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:26
Burri tentoi të vrasë gruan në Durrës, e moshuara u gjet në tokë e gjakosur nga fqinjët! Dëgjuan zhurmat

1765027649_shapka.JPG

Shapkat e gruas së dhunuar

Report Tv ka shkuar pranë banesës në Durrës, ku një 76-vjeçar ka tentuar të vrasë bashkëshorten duke e goditur me shkop druri. Kanë qenë fqinjët që e kanë gjetur 70-vjeçaren të rrëzuar në tokë dhe të gjakosur, të cilët kanë njoftuar ambulancën. E moshuara është dërguar në spitalin e Durrësit dhe më pas drejt Traumës, pasi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Fqinjët thonë jashtë kamerave se dëgjuan zhurma dhe kur kanë dalë nga banesat kanë gjetur 70-vjeçaren në tokë.

Policia ka marrë në pyetje dhe fqinjët të cilët tregojnë jashtë kamerave se ishin mësuar të dëgjonin “zhurma” pasi 76-vjeçari ka qenë i alkoolizuar dhe problematik me bashkëshorten herë pas here.