Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 3 persona, të akuzuar për mashtrime me call centera në Tiranë.
Tre të arrestuarit janë menaxheri i call center-it, Klaudio Sulejmëni dhe 2 punonjës Franko Karemani dhe Eriglen Arapi.
Ata u prangosën në nëntor të vitit 2025, në kuadër të një operacioni në një ambient të përshtatur si Call Center.
Ky Call Center kishte si aktivitet mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet telefonatave duke i joshur për të investuar në bursa fiktive.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Mashtronin të huajt si të rifitonin paratë e humbura në ‘Call Center’, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe ‘Moskallëzim krimi’ parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8513 viti 2025, të nisura nga informacionet e marra në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, Selitë, kati i 2, ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i ‘call center’, janë kryer veprimet procedurale me iniciativë dhe brenda ambienteve janë gjetur të akuzuarit dhe persona të tjerë të ulur në postet e përshtatuara si zyrë.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se shtetasit K.S. dhe F.K. kanë qenë personat që kanë rekrutuar punonjësit. Këta shtetas shpjegonin procesin e punës, i cili kishte të bënte me bindjen e shtetasve të huaj për të rifituar përsëri paratë e humbura (Recovery).
Hetimet zbuluan se agjentët merrnin informacione nga klientet për situatën e tyre të humbjes së lekëve dhe jepnin zgjidhjen për kthimin mbrapsht të tyre. Ata informoheshin për gjendjen e klienteve, në çfarë situate ishin, sesi i kanë humbur lekët dhe më çfarë kompanish kanë bashkpunuar më përpara. Më pas klienteve iu linte takim me ekspertin për shqyrtimin e ngjarjes dhe vazhdimësinë e telefonateve të tyre i merrnin në shqyrtim shtetasit K.S. dhe F.K.
Sa më sipër u bë arrestimi i shtetasve K.S. dhe F.K., dhe dërgimi në gjyq i tyre për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’, ndërsa shtetasi E.A. për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento