Report TV zbardh detaje lidhur me skemën e mashtrimit online të goditur nga policia e Fierit që funksiononte si një firmë piramidale, ku u vunë në pranga 6 persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Burimet policore bëjnë me dije se skema piramidale online që u godit në Fier, funksiononte me një shtrirje rekrutimi zinxhir. Agjentët duhej të gjenin të paktën 5 persona që të mund të ishin të ashtuquajtur investitorë dhe këta të fundit duhet duhej të gjenin secili nga 5 të tjerë dhe kështu skema shtrihej gjerësisht.
Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin “Telegram” nga një person i identifikuar si “Leo Smith”.
Gjashtë të arrestuarit janë përfituesit më të mëdhenj të platformës XUEX, të cilët kanë marrë shuma të mëdha parash në fillim dhe më pas kanë bërë pjesë të skemës, njerëz të rrethit të tyre familjar e shoqëror. Report Tv mëson se janë të paktën 900 qytetarë që kanë rënë pre e mashtrimit në Lushnje, Divjake, e Fier. Shumë prej “viktimave” të skemes piramidale online janë bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë.
Duke iu referuar pragut minimal prej 1000 dollarësh për investim në platformën “XUEX, vlera e parave që iu është marrë qytetarëve përllogaritet të jetë shumë e lartë. Ka qytetarë që kanë hedhur deri në 20 mijë USD. Për momentin, platforma është e bllokuar dhe paratë konsiderohen të humbura.
Policia dhe prokuroria e Fierit arrestuan një ditë me parë Arbër Çelën, pronar i nje lokali ne Lushnje, Emanuel Taullaun, Flavio Mukajn, Marius Kodrën, Brunilda Todin dhe Brunilda Ndinin, të cilët sipas policisë ishin agjentët kryesorë që promovonin platformen “XUEX” ne Lushnje dhe Divjake. Ata u premtonin qytetarëve fitime të shpejta dhe të sigurta përmes investimeve. Gjatë marrjes ne pyetje 6 të arrestuarit e kanë mohuar këtë fakt. Në dëshminë para hetuesve kanë thënë se s’kanë detyruar askënd të investojë në kriptomonedhë.
“Jemi njohur online dhe kemi vazhduar punën. S’kemi mashtruar askend. Për të hyrë në skemë duhej investuar minimalisht 1000 dollarë. Ne kemi investuar fonde në kriptomonedhe të cilat më pas i kemi konvertuar në Kosovë”, thanë thënë ata, duke pretenduar se kanë qenë vetëm përdorues të kësaj platforme.
Policia dhe prokuroria arritën zbulojnë këtë skemë mashtrimi, përmes policëve të infiltruar, të cilët u futen në XUEX dhe arritën të zbërdhejnë gjithë rrjetin.
Komente







