Krim në familje në Memaliaj. Burri ka vrarë gruan duke e goditur dhe masakruar me levën që shërbente për kazanin e rakisë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në fshatin Vagalat 25 km larg nga Memaliaj. Viktima është Antoneta Hoxha 53 vjeç, ndërsa autori i krimit, bashkëshorti Skënder Hoxha 63-vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të banesës në dhomën e gjumit të çiftit. Fillimisht çifti ka pasur një grindje, motivet e së cilës nuk dihen, ndërsa më pas situata ka agravuar dhe në një moment kur gruaja ka qenë me shpinë, burri e ka goditur me levë pas kokës, ndërsa më pas në pjesën e ballit kur është kthyer dhe në krahun e majtë. Report Tv mëson nga grupi hetimor se burri ka deklaruar se pasi e goditi me levë, gruaja i ka kërkuar ndihmë për ta shpëtuar, por Skënder Hoxha e la në gjendje të rëndë duke ndërruar jetë.

Mohimi dhe dorëzimi para grupit hetimor
Pas ngjarjes, që ka ardhur si pasojë e një sherri në familje, motivet e të cilit ende nuk dihen, burri ka lajmëruar fqinjët dhe të afërmit për ngjarjen, të cilën e ka mohuar. Hodo Hoxha, kryeplaku i fshatit thotë për Report Tv se në orën 04:00 ka shkuar në banesën e çiftit bashkë me fqinjët e tjerë ku ka parë gruan të mbuluar me gjak dhe të masakruar në kokë dhe në krahun e majtë, pasi ishte goditur me sende të forta, ndërsa burri u ka thënë që të mos e prekin se e kanë vrarë.

Por, pavarësisht deklaratës ai është shoqëruar në komisariat dhe pas disa orësh në pyetje është dorëzuar para grupit hetimor duke pranuar krimin e rëndë. Report Tv mëson se çifti kishte disa ditë që ishte ardhur në fshatin Vagalat nga kryeqyteti, ku banonin. Nuk dihet shkaku i kthimit të tyre në fshat. Çifti ka katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë. Këtë vit Shqipëria është tronditur disa herë nga krimet brenda familjes nga Tirana në Ballsh dhe Vlorë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:20
Ngjarja në Memaliaj/ Burri pranon krimin: E vrava unë gruan

53-vjeçaren Antoneta Hoxha në Memaliaj e ka vrarë burri Skënder Hoxha. Fillimisht ai mohoi që të ishte autori i vrasjes, por pas disa orësh në pyetje në komisariatin e Policisë, Skënder Hoxha është dorëzuar duke pranuar krimin. Tashmë cështja kalon te Krimet e Rënda për krimin brenda familjes.

Ora 11:47
'Nëse e ka bërë im vëlla të dënohet'/ Flet kunati i gruas që u vra në Memaliaj

E ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes në Memaliaj, të afërmit e viktimës dhe bashkëshortit përjashtojnë përfshirjen e Skënder Hoxhës në vrasjen e gruas. Ata thonë se çifti nuk kishte pasur konflikte më parë. Vëllai i Skënder Hoxhës është shprehur për Report Tv se 'Çifti kishte marrëdhënie të mira. Nuk besoj se është vëllai im autori. Por nëse është vëllai im, të marrë dënimin e merituar" tha ai.

Ora 10:41
Vrasja në Memaliaj, në banesën e çiftit gjenden fishekë (VIDEO)

Gjatë kontrollit në banesën e çiftit Hoxha në fshatin  Vagalat të Memaliajt janë gjetur disa fishekë të fshehur në një cep të banesës. Skënder Hoxha është shoqëruar nga policia pas ngjarjes, pasi është i dyshuari kryesor se mund të jetë ai që mund të ketë vrarë gruan.

Ora 10:36
Zbulohet fotoja, ja kush është gruaja që u vra sot në Memaliaj

Viktima Antoneta Hoxha

REPORT TV siguron foton e Antoneta Hoxhës 53 vjeç, gruas që u gjet e vdekur dhe mbuluar me gjak në orët e para të ditës së sotme në Memaliaj. Deri tani dyshimet e para janë se mund ta ketë vrarë burri, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur autorin e vrasjes së nënës së katër fëmijëve.

Ora 10:29
'Mos e prekni, e vranë'/ Dëshmitari: Gruaja ishte çarë në kokë dhe mbuluar në gjak/VIDEO

Hodo Hoxha, kryeplaku i fshatit thotë për Report Tv se në orën 04:00 ka shkuar në banesën e çiftit bashkë me fqinjët e tjerë ku ka parë gruan të mbuluar me gjak, ndërsa burri u ka thënë që të mos e prekin se e kanë vrarë.

"U ngritrëm shkuam dhe e pamë, e kishte mbuluar gjaku. Mos e kapni me dorë tha (burri) se e kanë vrarë. Nuk e di a e ka vrarë ai. Nuk kishin probleme më parë. Kemi hyrje dalje, ishin të qetë.

Çifti ka një djalë dhe tre vajza, të cilat i ka martuar, dy janë në Greqi dhe njëra në Tiranë. Kur erdha unë në orën 04:00 ishte mbuluar në gjak, e çarë në kokë" tha ai.