Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, në një ceremoni të zhvilluar me praninë e drejtuesve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Gogu falënderoi drejtorin në largim, Klevis Qose, për punën dhe kontributin e dhënë gjatë dy viteve në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ministri theksoi se ndryshimi në drejtim lidhet vetëm me nevojën për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar, në funksion të rritjes së standardeve të administrimit, të disiplinës dhe të përgjegjshmërisë institucionale.

“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Sot kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel, sepse duhet të sigurojmë që qytetarët të kenë jo vetëm besim, por edhe respekt për institucionet tona,” u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Duke i uruar suksese në detyrën e re drejtorit të sapoemëruar, Adriatik Kupi, Ministri Gogu nënvizoi rëndësinë e drejtimit me profesionalizëm, integritet dhe standarde të larta, në përputhje me objektivat e reformimit të sistemit dhe me angazhimet që burojnë nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Ministri theksoi se forcimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian, ku standardet europiane kërkojnë institucione më të forta, më efikase dhe më të përgjegjshme në çdo hallkë të tyre.

Nga ana e tij, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve, Kupi, shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe u angazhua për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë.

“Do ta ushtroj këtë detyrë me profesionalizëm dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të mbështetem te ekipi, te bashkëpunimi dhe te integriteti institucional për të arritur rezultatet që kërkohen sot nga institucionet penitenciare në Shqipëri,” u shpreh Kupi.

Lajmi se për lirimin e Klevis Qose dhe emërimin në krye e Kupit në krye të këtij posti u bë e ditur një ditë më parë. Drejtori i ri vjen nga administrata publike. Ai ka mbajtur më herët postin e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë dhe ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë.