Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, priti sot në Tiranë Ministren e Drejtësisë së Austrisë, Dr. Anna Sporrer, në një takim ku në fokus ishte avancimi i procesit të integrimit europian dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.
Gjatë takimit, ministri Gogu theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Europian, duke avancuar drejt mbylljes së piketave të ndërmjetme, çka pritet të pasohet nga mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare dhe nisja e punës për mbylljen e kapitujve.
Ai vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Austrisë në procesin e reformës në drejtësi dhe në përgjithësi për sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se ajo po konkretizohet në programe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, si ndihma juridike falas, përfshirja e të rinjve juristë dhe fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile.
“Diskutuam për atë që ka më shumë rëndësi për qytetarët: si ta bëjmë drejtësinë më të aksesueshme, më të shpejtë dhe më të besueshme. Kjo nuk është thjesht bashkëpunim institucional, por një investim i përbashkët në besimin e qytetarëve te drejtësia,” u shpreh ministri Gogu.
Ministri theksoi se, pavarësisht progresit të arritur, sfidat në sistemin e drejtësisë mbeten, duke veçuar nevojën për rritjen e aksesit në drejtësi, përmirësimin e efikasitetit të sistemit dhe forcimin e garancive proceduriale për qytetarët.
Nga ana e saj, ministrja Sporrer vlerësoi reformat e ndërmarra dhe ritmin e progresit të Shqipërisë, duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë për avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ajo shtoi se Austria është krenare për ndihmën e ofruar për operacionin ndërkombëtar të monitorimit (ONM) dhe drejtime të tjera në fushën e drejtësisë.
Të dy ministrat theksuan se rezultatet në sundimin e ligjit janë tashmë thelbësore për vijimin e procesit të integrimit, duke nënvizuar se puna e përbashkët do të vijojë për një drejtësi që funksionon në praktikë dhe jo vetëm në ligj.
Komente











