Serie A në Itali nisi mbrëmjen e të premtes me raundin e 22-të. Në "Giuseppe Meazza" Interi fitoi 6-2 me përmbysje kundër Pisas në një ndeshje ku zikaltërit treguan dy fytyra, por edhe forcë karakteri. Ky ishte dueli i fundit në mitikun "San Siro", pasi për disa kohë stadiumi do i dorëzohet organizatorëve të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Ishin miqtë e Gilardinos që e gjetën veten në epërsinë e dy golave pas 23 minutave lojë. Fillimisht një gabim i Sommer bëri që Moreo mos gabonte dhe të ndalte sferën në rrjetë nga afro 30 metra largësi, ndërsa po i njëjti shënoi me kokë pas pasimit të Tramonit nga këndi.
Të shokuar, zikaltërit u përgjigjën dhe shkurtuan shifrat me penalltinë e Zielinskit në minutën e 39-të. Më pas Interi përmbysi ndeshjen me golat e kapitenit Martinez dhe të riut Francesco Esposito brenda pjesës së parë.
Fraksioni i dytë foli tërësisht për të zotët e shtëpisë dhe Interi shënoi tre gola të tjerë me Dimarcon, Bonny dhe Mkhitaryan.
Pas këtij suksesi Interi me 52 pikë mbetet sërish në krye, ndjekur nga Milani me 46 pikë dhe një ndeshje më pak. Këtë të shtunë luhen tre ndeshje në Serie A. Në orën 15:00 luhet Como - Torino, në orën 18:00 Fiorentina - Cagliari dhe në orën 20:45 luhet Lecce - Lazio.
Komente






