Serie A e futbollit në Itali zhvilloi të dielën katër ndeshjet e radhës për raundin e 33-të. Kur jemi pesë javë nga fundi i sezonit, Juventusi duket se ka 'blinduar' zonën që të dërgon në Champions League pas fitores 2-0 kundër Bolognas në shtëpi.
'Zonja e Vjetër' përfitoi nga barazimi i Romës dhe humbja e Comos, duke e çuar në pesë pikë epërsinë me dy skuadrat më të mundshme që mund t'i rrezikojnë elitën e Evropës.
Në Torino bardhezinjtë e Spallettit kaluan në epërsi pas vetëm disa sekondave lojë. Një krosim i Kalulu nga krahu i djathtë i sulmit bëri që David me kokë të devijonte sferën brenda portës së mbrojtur nga Ravaglia.
Në pjesën e dytë bardhezinjtë 'vulosën' tri pikët para tifozëve të tyre me golin e Kephren Thuram në minutën e 57-të. Ndërkohë që pas disa takimesh pa u futur në lojë, në këtë sfidë 18 minuta mori edhe Edon Zhegrova.
Po të dielën Cremonese dhe Torino e mbyllën sfidën mes tyre me rrjeta të paprekura, Milani fitoi 0-1 në Verona, ndërsa Genoa mori tri pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën pas fitores 1-2 në Pisa.
Këtë të hënë luhet Lecce - Fiorentina e cila do përmbyllë këtë raund. Me 78 pikë Interi mbetet në krye të renditjes dhe është shumë pranë zyrtarizimit të titullit të 21-të kampion në Serie A. Pas zikaltërve mbeten Milani dhe Napoli me nga 66 pikë, ndërsa Juventusi ndjek me 63 pikë, pesë më shumë se Como dhe Roma.
Komente









