Paris Saint Germain ka siguruar titullin kampion në Ligue 1 për herë të pestë radhazi dhe të 14-in në histori. Titulli u vulos pas fitores 0-2 të mërkurën kundër Lens në stadiumin 'Bollaert-Delelis' në udhëtim.

Takimi nisi mes polemikash, pasi Lens kishte shprehur pakënaqësi për shtyrjen e mëparshme të ndeshjes, që i dha PSG-së më shumë kohë për t’u përgatitur për përballjen në Champions League ndaj Liverpoolit.

Në fushë, vendasit e Lens ishin më kërkues në fillim, duke krijuar disa raste të rrezikshme, por portieri Matvey Safonov u shfaq vendimtar me disa pritje të rëndësishme.

Megjithatë, PSG goditi në momentin e duhur. Ousmane Dembele fitoi topin në mesfushë dhe asistoi për Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi për 0-1 pas 29 minutave lojë.

Lens vazhdoi të ushtrojë presion edhe në pjesën e dytë, por pa arritur të konkretizojë rastet. PSG, nga ana saj tregoi qetësi dhe efikasitet, duke goditur në kohën shtesë me Ibrahim Mbaye, i cili vulosi rezultatin 0-2 në minutën 90+3'.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique feston kështu titullin e 14-të në historinë e klubit në Ligue 1, duke konfirmuar dominimin në futbollin francez. Tashmë, objektivi i radhës mbetet suksesi në Champions League, teksa në finalen e 30 majit i pret Arsenali.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    Debati për integrimin, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?