Tragjedia e Himarës ku mbeti viktimë një vajzë 7-vjeçare ka tronditur opinionin e gjerë publik. për ngjarjen shokuese ka reaguar kryeministri edhe politikanë të tjerë. Rama ka uruar që fajtori të marrë ndëshkimin e duhur ndërsa ka thënë se edhe në këtë rast nuk kanë munguar as kafshëria politko-mediatike.

Edhe figura politike të tjera në Shqipëri kanë reaguar për ngjarjen e mesditës së sotme në Himarë, ku një fëmijë 7 vjeç humbi jetën pasi u përplas në breg të detit nga një gomone me drejtues Arjan Tasen, shef i policimit në Elbasan.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano përjashtoi nga Policia drejtuesin e gomones, ndërsa pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se shkak për ngjarjen është bërë mungesa e sigurisë në plazhe. Po ashtu, Sali Berisha ka akuzuar se nuk ka siguri në plazhe duke e konsideruar krim vdekjen e fëmijës. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka akuzuar shtetin për ngjarjen e sotme.

Reagime ka pasur edhe nga deputeti socialist Erion Braçe i cili tha se “të pasurit në Shqipëri janë larg normales”. Po ashtu, deputeti socialist Petro Koçi ka thënë që s’duhet të ketë skafe në plazhe. Një tjetër reagim ka ardhur nga deputetja Flutura Açka, e cila u shpreh se qveria duhet të japë dorëheqjen e qeverisë.

Ngjarja ndodhi në Potam të Himarës, rreth orës 14:00. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:14
Arbi Agalliu për vdekjen e të miturës në Himarë: Ia mori jetën një polic i akuzuar për trafiqe

Deputeti demokrat Arbi Agalliu ka reaguar pas vdekjes së 7-vjeçarës në Himarë ditën e sotme, e cila u përplas nga një oficer policie me gomone.

Agalliu hodhi akuza mbi autorin, duke thënë se në vend që të kujdesej për të miturën, i solli vdekjen.

“Nëna 154” është emri i skafit që mori jetën e vajzës 5 vjeçare, prindërit e së cilës kishin zgjedhur Himarën për të pushuar këto ditë gushti.

“Nëna 154” një skaf me dy motorë nga 300 kuaj fuqi secili, i denjë për të kaluar Adriatikun pa asnjë problem, i mori jetën sot të vogëlushes 5 vjeçare e cila ndodhej në breg duke luajtur.

Ky mjet, i cili mund të quhet vrasës nëse qarkullon pranë bregut jashtë kushteve teknike, po drejtohej nga një punonjës i policisë së shtetit i akuzuar për shpërdorim detyre dhe mbjellje të lëndëve narkotike. Ky punonjës i policisë, i cili duhej të kujdesej në fakt për jetën e 5 vjeçares, sot u bë vrasësi i saj.

Asnjë korridor për lundrim të mjeteve në plazhin e Potamit. Asnjë masë e marrë.

Jeta këtu nuk ka më asnjë vlerë e për më tepër kur ta merr një polic i akuzuar për trafiqe.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes në këtë ditë tmerri për ta!", tha Agalliu.

Ora 21:10
Alibeaj për ngjarjen tragjike në Himarë: Përgjegjësia për aktin kriminal i takon strukturave të policisë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e 7-vjeçarës në plazhin e Himarës ditën e sotme.

Përmes një postimi në Facebook, Alibeaj e quajti “akt kriminal” përplasjen me gomone që shefi i policimit në Elbasan i bëri të miturës, ndërsa tha se përgjegjësia i takon strukturave të policisë.

“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së vajzës së mitur që humbi jetën sot në plazhin e Himarës. Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen për këtë humbje të madhe për prindërit dhe të afërmit e saj.

Akti kriminial i oficerit të policisë si dhe papërgjegjshmëria e strukturave shtetërore përgjegjëse për ruajtjen e vijës bregdetare janë përgjegjësit kryesorë të kësaj tragjedie. Sikundër mungesa e përgjegjësisë për këtë rast, por dhe mos nxjerrja e mësimeve nga tragjedi të ngjashme, tregojnë qartë se kjo qeveri dhe strukturat e veçanta të policisë janë të paafta dhe pa vullnet për të bërë detyrën:  Ruajtjen e jetës dhe sigurisë për qytetarët.

Reagimet e pavlera dhe të vonuara të kryeminsitrit dhe drejtuesve të policisë nuk mjaftojnë për ti bërë shqiptarët të ndihen të sigurtë në një vend ku jeta e tyre nuk ka vlerë. Përsa kohë përgjegjësit e ngjarjeve të tilla enden të lirë apo elemente të inkriminuar të policisë vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave të rendit, qetësia dhe siguria e qytetarëve do të jenë të rrezikuara në çdo moment”, tha Alibeaj.

Ora 19:16
Ngjarja e rëndë në Himarë, ministrja Spiropali: Krim makabër! E vrau papërgjegjshmëria, e vrau Dalldia

1657822061_Screenshot1.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas nga një gomone në bregdetin e Potamit në Himarë.

Në një reagim në rrjete sociale, Spiropali thotë se vogëlushja humbi jetën nga papërgjegjshmëria e një personi i cili nga polic, u kthye në vrasës.

Ministrja i bën një apel të fortë institucioneve të drejtësisë për të kryer një hetim të shpejtë dhe të drejtë dhe të sigurohen që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

'Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve. Një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone.

Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh. E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës. Nxis një hetim të shpejtë dhe të drejtë. Hetim që jo thjesht të dënojë shkaktarin e një krimi kaq makabër, por edhe të dëshmojë se vepra të tilla kriminale do të dënohen me rreptësinë më maksimale të ligjit. Të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë.

Lutem per shpirtin e Saj të pafajshëm.

Ngushëllime familjes, edhe pse si nënë e dy fëmijëve të mitur e di se sot prindërit e vajzës janë të pangushëllueshëm. Dhimbja e tyre qoftë një klithmë për të gjithë ne që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.'- shkruan Spiropali.

Ora 19:14
Klevis Balliu për ngjarjen e rëndë në Himarë: Rasti nuk është asgjë më pak se vrasje

Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu, ka reaguar për ngjarjen e sotme ku shefi i policimit në Elbasan goditi për vdekje me gomone një fëmijë 7 vjeç në Potam të Himarës.

Balliu e konsideroi vrasje rastin e sotëm, ku tha se autori, Arjan Tase, është arrestuar 2 vjet më parë, kur ishte shef i Policisë së Himarës, për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

"Një fëmijë 7 vjeçare ka humbur jetën në një plazh të Himarës para disa orësh.

Njoftimi i komunikatës së Policisë e klasifikon si aksident.

Një skaf që drejtohej nga Arjan Tase, shef komisariati në Elbasan, e ka goditur duke i marrë jetën një vajze të vogël që po pushonte me prindërit.

Policia mund ta klasifikojë si të dojë, por rasti nuk është asgjë më pak se vrasje.

Eshtë një atentat i dyfishtë, për faktin se një njeri i paguar dhe graduar për të mbrojtur jetën e qytetarëve, e merr atë.

Shefi i Komisariatit të Elbasanit Arjan Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë nga drejtori i Përgjithshëm Nano, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur kohë më parë.

Tase, sipas raportimeve meditaike, është arrestuar 2 vjet më parë, kur ishte shef i Policisë së Himarës, për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

Ky është rasti i dytë në pak ditë, që një mjet lundrues, del nga deti dhe godet pushuesit. Kjo nuk është shenjë e pakujdesisë, por e sigurisë publike të lënë në duar trafikantësh. Ata që lejojnë trafikun e drogës mund të lejojnë, pa i vrarë ndërgjegjia edhe skafistët e papërgjegjshëm, dhe madje të jenë vetë në timon të mjeteve lundruse që vrasin njerëz.

I shprehim ngushëllimet më të ndjera familjes Avdia që ka humbur dritën e syve.

Shqiptarëve u kërkojmë të shohin në sy të vërtetën e një shteti pupac, që del nga toka dhe deti, jo për t'i mbrojtur, por për t'i dëmtuar.

Kur të rrezikshmit e drejtojnë, Shqipëria është në rrezik!", tha Balliu.

Ora 18:57
Deputeti i PD-së Çollaku reagon për vdekjen e 7-vjeçares në Himar: Isha dëshmitar i një tmerri

 

Deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur fëmija 7 vjeç u vra nga një gomone që e drejtonte shefi i policimit në Elbasan.

Këtë e bëri me dije vetë ai përmes një postimi në Facebook, ku tha se shkarkimi nga detyra e autorit nuk mjafton.

"Vetëm 20 metra larg vendit ku ndodhesha unë sot jam dëshmitar i një tmerri në brigjet e Himarës në Potam. Fjalet ngushelluese, keqardhja shkarkimet nga insitutucionet e shtetit nuk mjaftojne per tragjedine e sotme te Himares ku nje vajze 5 vjecare u coptua ne breg te detit nga nje skaf i dimensioneve te medha dhe nje mjet detar lluksi.

Pergjigjia e shtetit sot duhet te jete ndalimi i menjehershem i perdorimit te ketyre skafeve lluksi ne brigjet e detit mbi koken e pushuesve.  Kjo per sot. Neser duhet te kuptojme se si eshte e mundur qe nje mjet te tille detar lluksi ta posedoje nje oficer i thjeshte policie", shkroi ai.

Ora 18:50
Tragjedia në Himarë, reagon Rama: Rrëqethëse, s'ka ngushëllim! Nuk mungoi as këtë moment kafshëria politiko-mediatike

1659289654_Screenshot1.jpg

Tragjedia në Himarë ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Rama i cili është shprehur se edhe në këtë moment po abuzohet nga politika dhe mediat ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen e së miturës.

'Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s'ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t'u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!

Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë!'- shkroi Rama

Ora 18:20
Erisa Xhixho për vdekjen e fëmijës në Himarë: Një oficer policie që kthehet në rrezik për jetën e njerëzve të pafajshëm

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Himarë, ku një fëmijë 7 vjeç u përplas për vdekje nga një gomone.

Përmes një postimi në Facebook, Xhixho tha se nëse do kishte siguri në plazhe, kjo ngjarje do të ishte shmangur, ndërsa u shpreh se në Shqipëri ka pasiguri për jetën.

Për Xhixhon është e papranueshme që një oficer policie, i cili duhet të mbronte sigurinë, u bë shkaktar i vdekjes së fëmijës.

“Nuk gjej fjalë të ngushëlloj nënën që humbi dritën e syve sot në një tragjedi të paralajmëruar.

Një engjëlli 7 vjeç iu këput jeta në mes nga papërgjegjshmëria e një individi që deri sot ka mbajtur uniformën e policisë.

Duke iu bashkuar familjes në dhimbjen e saj, kërkoj me forcë ndëshkimin e autorit të ngjarjes, fatkeqësisht një episod i përsëritur dhe që reflekton pasigurinë e jetës në vendin tonë.

Nëse do ishin zbatuar ligjet e sigurisë në plazhe, një tragjedi kaq e dhimbshme do të ishte shmangur, por çdo ditë jemi dëshmitarë të mungesës së sinjalistikës dhe shkeljes së rregulloreve në plazhet tona.

Një tragjedi e tillë bëhet akoma më e rëndë për shkak se ka si autor një individ të certifikuar nga shteti për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Një oficer policie që kthehet në rrezik për jetën e njerëzve të pafajshëm nuk tregon gjë tjetër veçse dështimin e të gjithë filtrave që shteti ka për të rekrutuar dhe mbajtur në punë ata që duhet të jenë gardianët e jetës dhe garantuesit e sigurisë.

Ngushëllime familjes! Prehu në paqe engjëll se ky vend nuk ishte për ty, as për të pushuar për pak ditë”, shkroi Xhixho.

Ora 17:14
Tragjedia në Himarë që i mori jetën të miturës, Açka: Vaj për një fëmijë që vrau babëzia! Këta të japin dorëheqjen para shqiptarëve

1655930262_fluturaacka2.jpg

Deputetja e PD-s, Flutura A­çka ka reaguar për të miturën e cila humbi jetën në plazhin e Himarës ditën e sotme. Deputetja është shprehur se qeveria duhet të japë dorëheqjen ndërsa shpreh ngushëllimet për vajzën e vogël.

'Vaj për një fëmijë që e vrau babëzia

Ngushëllime të thella familjes së vajzës 7-vjeçare J.A, e vrarë sot nga skafi i një të marri në Himarë!

Dhe iu bëj thirrje njerëzore t’i përzënë nëse u shkojnë te dera këta të dy me lule në mort.

Këta të japin dorëheqjen para shqiptarëve!

Se nga babêzia nuk lanë një metër plazh publik për shqiptarët dhe asnjë plazh të qetë për familjarët.

Kjo që po them nuk është politike, por njerëzore.

Të pangopur!!!'- shkruan Açka

Fotoja e publikuar nga Açka
Ora 16:59
'Turizëm që të merr jetën', Nard Ndoka reagon për tragjedinë në Himarë: Zot na ruaj! Dil nga vila qeveritare o kryeministër

1649509987_ramandoka.JPG

Deputeti Nard Ndoka, ka reaguar për tragjedinë e Himarës ku humbi jetën e mitura 7-vjeçare. Ndoka thotë se turizmi po merr jetë dhe se kryeministri duhet të dalë nga vila e tij qeveritare.

'Turizëm që të merr jetën!

Zot na ruaj!

Roje bregdetare sipas ligjit, jo! Hapësira për plazh publik sipas ligjit, jo!

Shërbim të urgjencës në plazhe, jo! Kontroll të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, jo!

Kontroll dhe survejim policor, jo!

Nuk mjaftojnë vetëm këto, por të vrasin në breg, të vrasin në ujë, madje sot na vrau vetë shteti!

Zot na ruaj!

Dil nga vila qeveritare o KM, qytetarët të paguajnë për rregull e siguri, për ligj e garanci.

Reago o njeri! Greqia po i paguan shtetasit e vet për të kaluar pushimet, ti të paktën mos i vrit nga indiferenca, arroganca dhe harbutëria e çdo qelize të shtetit tënd të pjerdhur!'- shkruan Ndoka

Ora 16:56
Ilir Meta për ngjarjen e rëndë në Himarë: Dënoj me forcë situatën katastrofike të sigurisë në plazhe

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ngjarjen e sotme në Himarë, ku një fëmijë 7 vjeç mbeti i vdekur pasi u përplas nga një gomone me drejtues Arjan Tasen, shef policimi në Elbasan.

Përmes një postimi në Facebook, Meta tha se shkak për këtë është bërë mungesa e sigurisë në plazhe në pikun e sezonit turistik.

Ish-presidenti i vendit kërkoi hetim të thelluar, dhe ndëshkim për autorin e ngjarjes.

“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura.

Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit!

Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!”, u shpreh Meta.

Ora 16:29
Gomonia përplasi për vdekje 7-vjeçaren, Braçe: Sa larg normales i kemi të pasurit tanë

1658432403_Screenshot7.jpg

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Himarë ku gomonia përplasi për vdekje 7-vjeçaren.

“Po si ka mundësi? Si mundet që nuk ndalen ky soj? Po pse qefin, argëtimin e kanë gjithnjë me skaf, gjithnjë në delir dhe gjithnjë jashtë kontrolli duke bërë dëm deri në krim?! Sa larg të qenit normal i kemi të pasurit tanë! Sa larg!”, shkruan Braçe.

Ora 16:17
Tragjedia në Himarë, gomonia godet për vdekje të miturën, reagon Petro Koçi: Jo më skafe në plazhe, ngjarja na ka vrarë të gjithëve

1657209748_Screenshot3.jpg

Një  ngjarje e rëndë është regjistruar pak minuta më parë ku një e mitur ka ndërruar jetë në plazh, apër të cilën ka reaguar edhe deputeti i PS-së, i cili ka thënë se nuk duhen më skafe në plazhe. a

'Kjo ngjarja e Himares na ka vrare te gjitheve. Jo me skafe ne plazhe! Le te skafisen ku te duan.

Por ne plazhe jo me!'- shkroi Koçi.

Ora 16:08
Gomonia godet për vdekje të miturën, reagon Berisha: Krim i tmerrshëm, siguria në plazhe zero

1659089770_Screenshot4.jpg

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar sa i përket tragjedisë që ndodhi pak minuta më parë në Himarë.

'Siguria në plazhe ZERO! Për ligjin nuk pyet njeri. Krim i tmerrshëm!

Skafisti, shef policie në Elbasan, A. Tase merr jetën e një fëmije 5 vjeç në det, në Himarë.

I shpreh ngushëlimet më të ndjera familjes për engjëllin që humbi. Dënoj me forcën më të madhe këtë krim të tmerrshëm nga ata për të cilët ligji nuk ekziston. Dënoj gjithashtu mungësen e plotë të sigurisë në plazhet tona. '- shkruan Berisha.