Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “Vila 31 x Art Explora” sjell bashkëjetesën e kujtesës historike me krijimtarinë e gjallë të së tashmes.

Në ceremoninë e pritjes së rezidentëve të parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, në “Vila 31 x Art Explora” – ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, Gonxhja tha se transformimi i “Vilës 31”, është shembull i përkushtimit për të promovuar artin dhe kulturën si motorë të zhvillimit ekonomik, forcimit të identitetit dhe rritjes së ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore.

“ArtExplora nga vetë emri, qëllimi, ngjall eksplorimin krijues dhe ndërveprues mes vendeve dhe komuniteteve duke rrëzuar hierarkitë, ashtu siç punët e artistëve që do t’i përjetojmë sot, fryt i misionit të Vilës 31, ku sot bashkëjetojnë shpirtra të lirë nga e gjithë bota, brenda mureve ku dikur ekzistonte vetëm një fantazi – ajo e antilirisë”, tha ai.

Përmes artit dhe reflektimit, vijoi ai, ky vend jo vetëm që ruan historinë, por e riimagjinon dhe përshtat atë në funksion të ndërgjegjes, përfshirjes dhe emancipimit shoqëror.

Një vëmendje shumë të rëndësishme, sipas tij, merr promovimi i artistëve të rinj vendas, duke i mbështetur në rrugëtimin e tyre krijues dhe duke i krijuar hapësira ku ata mund të shprehin veten dhe të ekspozojnë veprat e tyre.

“Këtë vit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka mbështetur përmes Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, dhjetëra artistë e aktivitete që do të zhvillohen te Vila Art Residence, edhe më gjerë”, informoi ai.

Festivali që çelet sot këtu dhe nesër në Durrës, shtoi ministri, është një ndër ngjarjet më domethënëse demokratike, edukative dhe frymëzuese për Shqipërinë europiane, për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

“Qeveria shqiptare e ka bërë kryefjalë mbështetjen dhe bashkëpunimin me skenën artistike, me politika kulturore dhe me investimin, besimin e shtetit tek shprehia krijuese bashkëkohore. Besojmë fort se kultura është jo vetëm mjet i kujtesës, por edhe themel për të ndërtuar një të ardhme më të hapur, më të lirë dhe më gjithëpërfshirëse”, deklaroi Gonxhja.

Sipas tij, krijimi i një skene kulturore vibrante, dinamike, provokuese është kryefjala e ditëve që po jetojmë dhe atyre që do të vijnë.

“Kjo lëvizje dhe frymë vjen përmes lidhjes së ndërtesave të trashëgimisë kulturore, programeve artistike, por po ashtu dhe me inaugurimin e hapësirave të reja të cilat i vihen në funksion skenës së pavarur. Nuk ka asgjë më efektive sesa kur një shoqëri vetëreflekton, vetëkorrigjohet, hapet ndaj një katarsisi konstant kulturor e artistik, liron vetveten nga klaustrofobia lokaliste dhe emancipohet përmes artit”, deklaroi ministri Gonxhja.


Lajmi kryesor:

Ish-shtëpia e Enver Hoxhës hap dyert si qendër kulturore, Rama nderon me Yllin e Madh të Mirënjohjes drejtuesin e fondacionit ‘Art Explora’: Dikur vend makbethian