Një grup që dyshohet se kishte kthyer vjedhjet duke thyer automjete dhe banesa në "biznes" është goditur në Sarandë. Pas hetimeve të Policisë janë arrestuar katër persona, ndërsa një i pestë është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, të dyshuarit vepronin në bashkëpunim dhe, vetëm gjatë periudhës 25-27 qershor, kanë kryer gjashtë vjedhje në zona të ndryshme të Sarandës. Ata dyshohet se kanë thyer xhamat e pesë automjeteve dhe kanë hyrë edhe në një banesë, duke marrë shuma parash, laptopë, tableta, sende me vlerë dhe dokumente personale.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Focus" u arrestuan në flagrancë Sherif Dafku, 33 vjeç, banues në Durrës; Blerim Allaraj, 27 vjeç, banues në Tiranë; Belik Cengu, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Eusedio Dumbollari, 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi Olsi Shehu, 39 vjeç, banues në Fier .
Gjatë operacionit të koduar "Focus", Policia sekuestroi një laptop dhe një telefon celular që dyshohet se janë të vjedhur, si dhe një automjet që dyshohet se përdorej nga grupi për kryerjen e vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për të verifikuar nëse grupi është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Njoftimi i plotë i Policisë
" Sarandë / Veprime intensive hetimore dhe operacionale për goditjen e një grupi kriminal që kryente vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete.
Finalizohet operacioni i koduar “Focus”. Zbardhen dhe dokumentohen 6 raste të vjedhjes me thyerje, në automjete/banesa, gjatë javës së kaluar. Identifikohen 5 pjesëtarët e grupit që kryente vjedhjet. Kapen dhe vihen në pranga 4 prej tyre, punohet për kapjen e bashkëpunëtorit. Sekuestrohen laptop dhe celular, të dyshuar të vjedhur, si dhe 1 automjet që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve. Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe operacionale të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për goditjen e një grupi kriminal që kryente vjedhje në banesa dhe në automjete, u finalizua operacionin i koduar “Focus”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:-B. A., 27 vjeç, B. C., 32 vjeç dhe E. D., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe Sh. D., 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 39 vjeç, banues në Fier.Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete. Gjatë periudhës 25.06.2026-27.06.2026, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në zona të ndryshme në Sarandë, kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash, laptopë, tablet, sende me vlerë dhe dokumente personale, në 5 automjete të cilave iu kanë thyer xhamat dhe në 1 banesë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky grup kriminal. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









