Një 31-vjeçar turk i shpallur në kërkim nga Ankaraja për mashtrim, është arrestuar në aeroportin e Rinasit.

Enes Uguz akuzohet për veprën penale “Mashtrimi i kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare nga një tregtar, nga një drejtor i një shoqërie tregtare ose nga një person që vepron në emër të një shoqërie, ose nga një drejtues i një kooperative në kuadër të veprimtarisë së kooperativës.” Për të kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Në pranga është vendosur edhe një 27-vjeçar shqiptar, Edison Vukaj, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3.4 vite burg për vjedhje.

Njoftimi i plotë:

Rinas/Kontrolle dhe verifikime nga shërbimet e Policisë Kufitare, vihen në pranga 2 shtetas në kërkim. 

-Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet turke, për mashtrim.    

-Kapet dhe ndalohet 1 shtetas në kërkim, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.  

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë bërë të mundur kapjen në dalje të RSh-së dhe arrestimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar:  

-E. U., 31 vjeç, banues në Turqi.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, Turqi, pasi Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 e Gebzes, Turqi, më datë 31.07.2026, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Mashtrimi i kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare nga një tregtar, nga një drejtor i një shoqërie tregtare ose nga një person që vepron në emër të një shoqërie, ose nga një drejtues i një kooperative në kuadër të veprimtarisë së koperativës”. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po kryen procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Turqi.     

-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kapën në hyrje të RSh-së, shtetasin në kërkim E. V., 27 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 03.06.2025, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.