TIRANE- Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të rinjtë, të cilët paraditen e së shtunës grabitën një argjendari pranë sheshit “Avni Rustemi”, në kryeqytet. Ndaj Erion Koles, Dorian Memës dhe Rigels Kolës, gjykata pranoi akuzën e paraqitur nga prokuroria, për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim. Gjatë seancës gjyqësore avokatët mbrojtës të të arrestuarve i kërkuan gjykatës që tëvendoste masat e sigurisë arrest shtëpie, pasi sipas tyre të akuzuarit janë minorenë, kishin përdorur një pistoletë që bënte vetëm zhurmë dhe se nuk mund të kryente qitje dhe se të tre vazhdonin shkollën e mesme. E pranishme në sallën e gjyqit ishte edhe një psikologe, e cila e cilësoi veprimin e të rinjve, si një veprim të motivuar më së shumti nga faza dhe fenomenet që shfaqen tek të rinjtë gjatë moshës së adoleshencës. Por gjyqtari Sokol Tona, duket se ka vlerësuar rrezikshmërinë shoqërore që ka vepra e kryer nga të rinjtë, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim. Grabitja është rregjistruar në orën 11:00 të paradites së të shtunës ku në argjendarinë që administrohet nga shtetasi Pavllo Shkavra, tre persona dy prej të cilëve të armatosur kanë hyrë në ambjentet e saj, ku nën kërcënimin e armës kanë arritur të marin rreth gjysëm kilogram flori. Sasia e floririt të grabitur përbëhej në bizhuteri të ndryshme si unaza, varëse, ora etj. Grabitësit pasi morën bizhuteritë kanë tentuar të dalin, por janë kundërshtuar nga pronari i argjendarisë i cili ka mundur të kapë njërin prej tyre, duke tentuar ti heqë maskën. Njëri prej autorëve që mbante në dorë një pistoletë “Minibloë” e ka goditur me qytë në kokë shtetasin Pavllo Shkavra duke sjellë rëzimin e menjëhershëm në tokë të tij. Pas largimit të tre personave, disa nga patrullat e policisë janë vënë në ndjekje të tyre, ndërkohë që një patrullë tjetër ka transportuar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak pronarin e argjendarisë. ( Ne foto: Argjendaria e grabitur, dhe njeri prej te arrestuarve)
(eq/sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(eq/sg/shqiptarja.com)











