Grabitet banesa e avokatit Edmond Saliu në qytetin e Durrësit. Ai ka denoncuar në Drejtorinë e Policisë së qytetit bregdetar se persona të paidentifikuar i kanë grabitur ditën e premte gjatë ditës kasafortën me 35 milionë lekë që kishte në banesë. Sali ka deklaruar se nuk ka qenë në banesë, por në punë në momentin që i kanë grabitur banesën, ndërsa e ka konstatuar kur është rikthyer. 

Gazetari i Report Tv, Artur Korriku thotë se autorët kanë hyrë në banesë duke hapur derën me një “çelës kopil”. Avokati kasafortën e kishte vendosur në dhomën e vajzës. Autorët duket se pas vështirësive që kanë hasur për ta hapur e kanë marrë kasafortën. Banesa e avokatit ndodhet në katin e dytë të pallatit në lagjen nr. 4 në qytetin e Durrësit.

Policia ka nisur hetimet duke sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve pranë banesës së avokatit për të shkuar në gjurmët e autorëve. Edmond Saliu është një avokat i njohur në Durrës, pasi ka mbrojtur disa cështje. Ai ishte njëri nga dy avokatët që mbrojti dy vëllezërit Ekonomi, të cilet u akuzuan se rrahën për vdekje të 60-vjeçarin Agim Arapi, dosje në të cilin ishte i përfshirë edhe Jurgen Kurti, që u vra pak javë më parë në Tiranë.