TIRANË, 13 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Një bankë e nivelit të dytë ka rënë pre e grabitësve mesditën e sotme në kryeqytet.
Burime policore konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në një bankë të nivelit të ty dytë me godinë pranë Bulevardid "Zogu i Parë", apo siç njihet gjerësisht ish-stacioni i Trenit.
Policia me të marrë njoftimin ka mbërritur ne vend ngjarje duke nisur  hetimet.
Sipas të dhënave paraprake, burime policore theksojnë se autor të grabitjes dyshohet të kenë qenë 2 persona. Policia gjithashtu ka konfiskuar kamerat, ku vihet re se autorët fillimisht kanë goditur rojen e Bankës, për të vijuar më tej tek makina autoblindë, ku dyshohet se kanë marrë 2 thasë me para. Mësohet se grabitësit kanë qenë të armatosur dhe kanë qëlluar disa herë në ajër për të trembur kalimtarët, ndërsa më tej janë larguar me mjetin "Fuoristradë" me targa: AA 105 IV.
Grabitësit janë ndjekur deri në Paskuqan ku më pas kanë humbur gjurmët dhe sipas policisë grabitësit mund të kenë ndërruar mjetin. Personat që kanë qenë në autoblindën e parave janë të parët që janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me këtë ngjarje. Policia ka dyshime se grabitësit mund të kenë qenë më të shumtë në numër pasi të tjerë persona mund ti kenë pritur ata përgjatë rrugës por po ashtu edhe dy persona të cilët ecnin në këmbë pranë bankës janë të dyshuar.
Sipas të dhënave të para, furgoni i blinduar mendohet se ishte duke transportuar rreth 100 milion lekë të vjetra.
/f.n/