Grabitet zyra e Postës Shqiptare në Kamëz. Autori ka kërcënuar punonjësit me një armë lodër. Në vendin e ngjarjes ndodhet policia ndërsa janë ngritur edhe pika kontrolli.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, ka mësuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20, në Kamëz, tek filiali i i Postës Shqiptare, përballë gjimnazit “Ibrahim Rugova”. Një person me kapuç dyshohet se kishte dhe një pistoletë të vogël lodër, është futur në postë dhe i ka marrë pa dhunë sportelistes një sasi lekësh rreth 100 mijë lekë të reja, ose 1 milion të vjetra dhe është larguar në këmbë.
"Më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, në Kamzë, një person ende i paidentifikuar, i maskuar me kapuç dhe mbante një send të dyshuar si pistoletë, është futur në filialin e Postës Shqiptare, ka marrë një shumë parash dhe është larguar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Policisë po krehin zonën, për të bërë të mundur kapjen e tij", ka njoftuar policia.